“Si na u shkrumbuan shtëpitë përpara syve”
SHKODËR- Dy banesa janë shkrumbuar nga zjarri në fshatin Boks në komunën e Postrribës në rrethin e Shkodrës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të së enjtes kur banesat e familjes Plangaj janë përfshirë nga flakët të cilat janë përhapur në të gjithë shtëpinë, ndërsa janë rrezikuar seriozisht dhe së paku 10 banesa të tjera, të cilat ndodhen ngjitur me njëra-tjetrën në një sipërfaqe të vogël. Sipas pjesëtarëve të familjes Plangaj, në fshatin e tyre nuk ka pasur energji elektrike. Sapo ajo ka ardhur, është dëgjuar një zhurmë dhe më pas janë parë flakët që kanë përshirë fillimisht banesën e Aziz Plangajt dhe më pas atë ngjitur, në një kulm me të. Banorët kanë mundur të dalin jashtë dhe kanë lajmëruar zjarrfikësit. Ndërsa nuk është mundur të bëhet asgjë në pjesën e përfshirë nga zjarri, problem ka qenë përhapja e tij në banesat që janë ngjitur dhe në kulm me njëra-tjetrën. Sipas banorëve, zjarrfikësit kanë ardhur shumë shpejt, për rreth 5 minuta dhe ndërhyrja e tyre ka qenë vendimtare për të mos lejuar përhapjen e zjarrit te shtëpitë e tjera. Zjarri ka shkrumbuar gjithçka dhe ka shembur tavanin e banesës së Sanije Plangajt që ndodhej aty bashkë me vajzën dhe nipin 2.5 vjeç. Po kështu dhe 5 pjesëtarët e familjes tjetër Plangaj, kunatit të Sanijes janë dëmtuar nga zjarri ndërsa kanë mundur të dalin jashtë banesës me shpejtësi. Pas ekspertizës së bërë ka rezultuar se shkak i zjarrit ka qenë në shkëndijë elektrike në rrjetin elektrik të amortizuar të banesës së vjetër.
Sanije Plangaj rrëfen për gazetën MAPO se kanë qenë duke u ngrohur me sobë me dru, pasi nuk kishte drita, ndërsa zjarri u shfaq pak minuta pasi erdhën dritat.
Kur ndodhi ngjarja dhe si ndodhi ajo?
Kemi qenë duke u ngrohur me sobë me dru, se nuk kishte drita. Hëngrëm darkë dhe shkuam të flemë. Erdhën dritat dhe u dëgjua një zhurmë si e kërcitur dere. Vajza më tha nëse e kisha mbyllë mirë derën e shtëpisë. Dola nga dhoma në korridor dhe pashë flakën në tavan. Kam bërtitur dhe kemi dalë jashtë. Kanë ardhur komshinjtë e të afërmit dhe ata kanë lajmëruar zjarrfikësit.
Kush ndodhej tjetër me ju në banesë?
Unë jetoj e vetme, burri më ka vdekë, kam një djalë, Avninë, në Greqi dhe ka qenë këtu vajza e martuar bashkë me djalin e saj 2.5 vjeç. Ngjitur në një kulm kam kunatin, vëllanë e burrit. Dhe ata dolën jashtë, ndërsa na ndihmuan edhe ne.
A keni mundur të shpëtoni ndonjë orendi ?
Zjarri është përhap shumë shpejt, u dëgjuan disa krisma si të shtëna. Me vështirësi mundëm të dilnim. Shtëpia është e vjetër dhe nuk kemi pas mundësi me e rregullu. Kanë ardh shpejt kushërijtë që rrinë përreth dhe shtëpitë tona lidhen me kulme të përbashkëta. Janë munduar me ujë, kanë ardhë shpejt makinat dhe e kanë shuar zjarrin. Shyqyr që shpëtuam ne, sidomos djali i vajzës që është fëmijë. Shyqyr që shpëtuan dhe shtëpitë e tjera .