E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurt rrthet

HAS
Transportonin armë e fishekë, 3 në pranga


HAS - Trafiku i armëve e municionit Shqipëri-Kosovë e anasjellats vazhdon në të gjithë sektorët e kufirit, ndërkohë që policia kufitare e Hasit në pikë-kalimin e Qafë-Prushit ka bllokuar një sasi armatimi e municioni që kishte si destinacion Kosovën.


Mbrëmjen e së mërkurës janë arrestuar shtetasit Bashkim Dauti e Skënder Kadria dhe një tjetër shtetas, emri i të cilit nuk është bërë publik, nga fshati Golaj i rrethit të Hasit, pasi në automjetin në të cilin ata udhëtonin janë zbuluar pas një kontrolli rutinë një sasi prej 6 copë armë gjahu (çifte) dhe rreth 1 mijë copë fishekë të kalibrit 7.62 mm. Policia ka kryer në flagrancë arrestimin e tyre, ndërkohë që ka sekuestruar sasinë e armëve të gjahut, fishekëve dhe automjetin që i transportonte.


Armët dhe municionet janë zbuluar në pikë-kalimin kufitar të Qafë-Prushit kur poseduesit e tyre tentonin t'i kalonin për në Kosovë të fshehur në automjet. Zbulimi i sasisë së armëve dhe municioneve në Qafë-Prushi, ndodh vetëm dy javë pasi policia kufitare e Kosovës bllokoi një sasi prej rreth 17000 copë fishekësh të kalibrit 7.62 mm duke ndaluar dy shtetas të Kosovës.


Prej 12 vitesh në kërkim, arrestohet


GJIROKASTËR- Pas 12 vitesh në arrati, policia e Gjirokastrës ka mundur të vërë në pranga, një person i cilësuar me rrezikshmëri të lartë kriminale. I dënuar me 17 vjet heqje lirie për veprën penale të "vrasjes", 45- vjeçari Astrit Guçe është arratisur nga vendi i vuajtjes së dënimit në vitin 1997 dhe prej asaj kohe rezultonte person i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare.


I shumëkërkuari ka qenë pjesë e një grupi klandestinësh të kthyer një ditë më parë mbrapsht si shtetas deportivë nga policia greke. Verifikimet e mëtejshme të kryera kanë treguar faktin se "klandestini" ishte njëri prej personave më të kërkuar të policisë së qarkut Gjirokastër, i dënuar me 17 vjet heqje lirie, pasi ka vrarë një bashkëqytetarin e vet në Memaliaj, në vitin 1995.


Në njërin prej lokaleve, Guçe është grindur me një bashkëqytetarin e vet, me inicialet K. Sh. Ky i fundit, pas disa debateve të ashpra e ka qëlluar me pëllëmbë Guçen. Kaq ka mjaftuar që ai të shkonte në shtëpi, ku ka marrë një thikë dhe më pas është kthyer sërish në lokal, ku e ka qëlluar për vdekje.


Më tej, nën masa të rrepta sigurie 45- vjeçari është transportuar për në mjediset e policisë ku është bërë ndalimi i tij nga ana e specialistëve të kërkimit dhe më pas është transportuar në burgun e sigurisë së lartë, në Bënçë të rrethit Tepelenë.


Grinden, 19-vjeçari qëllon me thikë bashkëmoshatarin


KORÇË - Plagoset në treg një 19-vjeçar, duke përfunduar në spital në gjendje të rëndë, ndërsa autori i krimit është vënë në pranga vetëm rreth dy orë më pas. Burime zyrtare të policisë së Korçës bënë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur në tregun e qytetit gjatë mesditës së të enjtes mes dy bashkëmoshatarëve Fredi Selimi dhe Emiljano Nika, të dy banorë të lagjes 9 të qytetit.


Dy 19-vjeçarët janë gjendur për rastësi në të njëjtin lokal në tregun e Korçës, ndërsa janë konfliktuar me njëri-tjetrin për motive të dobëta, arsye të cilat janë duke u zbardhur nga policia.


Por duket se sherri ka vazhduar dhe jashtë lokalit, në prani të dhjetëra qytetarëve, të cilët kanë parë se si është plagosur një i ri. Ngjarja e cila ka qenë shumë pranë një tragjedie të mundshme, ka pasur për protagonist kryesor të saj shtetasin Emiljano Nika, i cili ka qëlluar me thikë ndaj 19-vjeçarit tjetër Fredi Selimi.


Ky i fundit ka qenë i paarmatosur dhe nuk ka mundur të reagojë për t'u mbrojtur, pasi goditja i ka ardhur në befasi. Goditjet e thikës e kanë lënë atë të plagosur në gjendje serioze për jetën, teksa autori ka mundur t'iu shpëtojë bluve, ndonëse jo për një kohë të gjatë.


Policia ka identifikuar autorin, që është parë nga dhjetëra kalimtarë që ndodheshin në treg gjatë kohës së ngjarjes. Mësohet se Nika ka mundur të largohet menjëherë, duke lënë qytetin dhe duke u zhvendosur në zonën e Shën Gjergjit, një fshat malor rreth 25 kilometra larg Korçës.


Pas më shumë se dy orësh forcat e komisariatit të policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit. Ndërkaq, i plagosuri ndodhet në gjendje të rëndë pas plagëve të marra nga tehu i thikës. Autori i ngjarjes akuzohet për veprën penale të "vrasjes së mbetur në tentativë".


Rubik, dy të rinj qëllojnë me armë në mes të qytetit


RUBIK - Nga përplasja me armë për motive banale mes disa të rinjve në lagjen e mesme të qytetit Rubik, vetëm pak metra afër shkollës 9-vjeçare, është krijuar një gjendje terrori për disa minuta në këtë qytet, ndërsa për fat nuk ka pasur të lënduar.


Sipas burimeve policore, dy shtetas kanë qëlluar mbi një shtetas tjetër, që gjendej në një makinë tip "Benz", por edhe pse janë derdhur një mori plumbash në drejtim të tij, ai ka shpëtuar paq. Ndërkohë, sipas dëshmitarëve okularë, dy personat janë shfaqur në rrugën kryesore të qytetit me armë në dorë.


Dy të rinjtë janë ulur rrugës poshtë dhe njëri prej tyre ka kërkuar të hipë në një makinë për të ikur nga gjurmimi i policisë, por poseduesi i makinës në të cilën ka hipur për t'u larguar, e ka nxjerrë jashtë nga makina, ndërsa më pas ata janë larguar në një drejtim tjetër përsipër qytetit, duke shtënë dhe një karikator automatiku në ajër.


Mësuesit e shkollës thanë se ka qenë fat që shumica e nxënësve kanë qenë duke ndjekur një koncert në prag të Ditës së Pavarësisë tek qendra kulturore e qytetit, e cila ndodhet larg prej vendit të ngjarjes dhe kjo mbase ka ndikuar, më së paku, që fëmijë të shumtë të mos përjetonin gjendje ankthi nëpër qytet në ato momente.


Policia vendore shkoi në vendin e ngjarjes dhe është vënë në ndjekje të autorëve, ndërsa në orët e vona të darkës mësohet se janë dorëzuar dy persona për të qenë nën mbrojtjen policore.


Lezhë, qëllohet oficeri i qarkullimit rrugor


LEZHË - Është qëlluar me armë në mes të shëtitores kryesore të qytetit të Lezhës një oficer i qarkullimit rrugor, komandat i trafikut në këtë qytet, ndërsa po shëtiste i qetë në trotuar.

Pikërisht në një moment të tillë, një shtetas, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, por që thuhet se ishte fqinj i tij, ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të tij. Dy plumba të nxjerrë nga arma pistoletë e kanë kapur në pjesën e poshtme të trupit oficerin e policisë, njëri prej tyre ka depërtuar në trup dhe tjetri ka mbetur brenda.


I plagosuri është dërguar menjëherë në urgjencën e spitalit Lezhë për t'iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe sipas mjekëve deri më tani ka qenë jashtë rrezikut për jetën, pasi plumbat janë shenjuar në gjymtyrët e poshtme të tij.


Policia është vënë në kërkim të autorit, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa pista më e mundshme e këtij krimi lidhet me një konflikt pronësie në mes oficerit të policisë dhe komshisë së tij, i cili ka vendosur t'i japë fund përmes armës pa e llogaritur as uniformën e policit të shtetit.


Furgoni përplaset me trenin, rëndë shoferi


FIER - Një aksident hekurudhor ndodhi mëngjesin e djeshëm në afërsi të Levanit të Fierit, rreth orës 06:30. Një furgon është përplasur me trenin, teksa drejtuesi i tij ka mbetur i plagosur rëndë. Mësohet se shkak i aksidentit ishte moszbatimi i rregullave të qarkullimit të mjeteve në linjën hekurudhore nga ana e furgonit me targa FR 9053 A.


Treni ishte nisur në drejtim të Tiranës kur papritur në vijën hekurudhore është shfaqur një mjet tip furgon mbi shina. Edhe pse ai i ka rënë borisë për të tërhequr vëmendjen e drejtuesit, lokomotiva e ka marrë zvarrë furgonin rreth 100 metra, duke bërë që drejtuesi i saj, Baftjar Kallashi të mbetej i plagosur.


Ai është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, ka qenë mjergulla e dendur ajo që ka bërë që drejtuesi i furgonit të mos shihte trenin duke ardhur. Treni ka mbetur i bllokuar për rreth dy orë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›