E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen 102 kg hashash dhe 706 g heroinë

ANTIDROGA/ Policia e Durrësit ka arritur të zbulojë një sasi të madhe kanabis sativa në një automjet të vjedhur


Në Elbasan, një i ri u vu në pranga pasi iu gjet një sasi droge pas një kontrolli të ushtruar ndaj tij


DURRËS - Policia e Durrësit ka arritur të zbulojë një sasi prej 102 kilogramësh kanabis sativa e bërë gati për shitje. Ndërkohë, askush nuk është vënë në pranga, pasi sasia e drogës është gjetur në një automjet të parkuar në anë të autostradës, pranë fshatit Maminas.


Burimet zyrtare shprehen se punonjësit e policisë i janë afruar automjetit pasi dyshonin se ai ishte i vjedhur. Por pasi është parë me vëmendje është konstatuar se në të ka pasur një sasi shumë të madhe qesesh të mbështjella me natriban dhe të vendosura në bagazhin e automjetit, si dhe në sediljen e pasme dhe të parë të tij.


Pas kësaj është njoftuar edhe salla operative çka ka çuar në mbërritjen e shërbimit të antidrogës së Durrësit. Pas verifikimeve të kryera rezultoi se automjeti i gjetur ishte i vjedhur, ndërsa dyshohet se ai përdorej për të transportuar lëndën narkotike, pas ii ishin falsifikuar targat.


Pas dërgimit të automjetit në drejtorinë e policisë, është bërë edhe fiksimi i gjurmëve të gjetura në makinë dhe mbi qeset me bimë narkotike. Një ndër pistat më të mundshme, sipas ekspertëvem është ajo e transportit të drogës nëpërmjet korrierëve dhe Maminasi ka qenë, me sa duket, pika e shkëmbimit e mallit të ndaluar.


Nuk dihet arsyeja se përse marrësi i mallit nuk ka mbërritur në vend, gjithsesi po hetohet edhe në këtë drejtim.


Burimet zyrtare të policisë në një deklaratë për shtyp u shprehën se zbulimi i automjetit ka ndodhur mesnatën e 25 nëntorit, kur shërbimet e policisë, gjatë patrullimit në aksin rrugor Durrës-Tiranë dhe konkretisht në vendin e quajtur Maminas kanë konstatuar një mjet tip "Benz", ngjyrë gri të parkuar në anë të rrugës.


Duke dyshuar se automjeti mund të ishte i vjedhur dhe më pas i braktisur nga autorët, është bërë edhe kontrolli gjatë të cilit u konstatua se në të kishte 102 pako me nga 1 kg secila. Në total pesha e lëndës është 102 kg, ndërsa vlera e saj në tregun vendas mësohet se arrin një shifër rreth 200 000 euro.


Kapet transportuesi i 706 gr heroine, u zbulua nga përgjimet


Elbasan, kapet 39-vjeçari


Gazmir Bezani është vënë në pranga gjatë operacionit të koduar "Transportuesi". Seksioni i Antidrogës në Elbasan zhvilloi një operacion pas informacioneve të grumbulluara mbi qarkullimin e një sasie konsiderueshme droge në qytet. Burime të policisë konfirmuan se rreth orës 19:30 të së enjtes u arrestua në flagrancë 39-vjeçari Gazmir Bezani.


Ai ishte duke lëvizur në këmbë në vendin e quajtur Klinika Dentare, kur është izoluar nga agjentët e policisë. Pasi është kontrolluar, 39-vjeçarit Bezani i është gjetur një qese me pluhur ngjyrë kafe e dyshuar si heroine, si dhe dy telefona celularë.


Nga të dhënat e para dyshohet se ai bënte transportin me një tjetër destinacion për drogën, por kjo pritet të zbardhet nga hetimet e mëtejshme. Si prova pritet të përdoren edhe tabulatet telefonike dhe përgjimet. I arrestuari do të përgjigjet për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Ai rezulton i dënuar me 6 vjet heqje lirie në Greqi për transport të lëndëve narkotike.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›