Polici i Dajtit: Mbahem padrejtësisht s'ka prova ndaj meje
Masa e arrestit
Oficeri i arrestuar pak ditë më parë mohoi akuzën ndaj tij duke pretenduar se s'ka pasur lidhje me Dajtin
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, vendosi paraditen e djeshme të mos ndryshojë masën e sigurisë "arrest me burg" caktuar në mungesë ndaj oficerit të policisë së Durrësit, Mariglen Muça, i cili akuzohet se ka ndihmuar Dritan Dajtin që t'i fshihet drejtësisë për vite të tëra.
Vetë i pandehuri Muça ka mohuar akuzën e "shpërdorimit të detyrës" para gjyqtares së masave Marsela Balili, duke vetëdeklaruar se është i pafajshëm. "Nuk kam asnjë lidhje me Dritan Dajtin.
Unë e kam njohur Ergest Xhoxhin nëpërmjet një cacuni, pasi doja t'i blija një motor. Nuk kam pas asnjë marrëdhënie tjetër dhe as nuk e kam njohur Ergest Xhoxhin si kunat i Dritan Dajtit. Nuk e njihja aq mirë që ta dija se kë kishte kunat"-tha ndër të tjera Muça para gjyqtares.
Avokati mbrojtës, Agron Lamaj, i kërkoi gjykatës të delegojë për mos kompetencë dosjen penale ndaj oficerit Muça, pasi nuk është kjo gjykatë kompetencë e gjykimit të veprës penale të "shpërdorimit të detyrës".
Gjithashtu, kërkoi nga gjykata që t'i ndryshohet edhe masa e sigurisë, pasi nuk përbën rrezikshmëri shoqërore dhe as pengim të hetimit të mëtejshëm të dosjes.
Por, prokurori i çështjes, Eugen Beçi, në fjalën e tij i kërkoi gjykatës që mos të ndryshojë këtë masë sigurie të caktuar në mungesë, pasi nuk kanë ndryshuar asnjë rrethanë që nga dita e vendosjes së kësaj mase. Ndërsa, në lidhje me mos kompetencën e gjykimit të oficerit Muça, prokurori e cilësoi procedimin të lidhur mes njëri-tjetrit.
Pasi dëgjoi palët në proces, gjyqtarja Balili vendosi ta lërë në qeli deri në përfundim të gjykimit të pandehurit Muça, duke e vlerësuar të ligjshëm arrestin dhe caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg".
Sipas prokurorisë Muça që mbante detyrën e inspektorit të zonës së plazhit për seksionin e vjedhjeve, ka ndihmuar Dritan Dajtin dhe kunatin e tij me rroba policie dhe më pas edhe me karta të identitetit në emër të efektivëve të policisë, duke i fshehur kështu ndaj arrestimit të mundshëm.
Gjithashtu mbi oficerin Muça rëndon edhe akuza e mos njoftimit të eprorëve të tij për lëvizjet e shumë të kërkuarit Dajti, që paraditen e 7 gushtit u piketua nga policia që tentoi ta arrestonte. Ku në tentim arrestimin e tij u vranë katër efektivë të policisë dhe Dajti u plagos me tre plumba në trup.