Bllokohen tri automjete të vjedhura jashtë vendit
TIRANË- Tre autovetura luksoze që kanë rezultuar të vjedhura jashtë vendit janë sekuestruar nga Seksioni i Antitrafiqeve në Policinë e kryeqytetit. Bllokimi i tyre është bërë i ditur dje nga policia sipas të cilëve mjetet ishin vjedhur në Itali dhe më pas ishin trafikuar në Shqipëri, dy prej të cilave edhe ishin targuar në vendin tonë.
Automjetet që janë bllokuar rezultojnë të vjedhura në Itali dhe Gjermani, ndërkohë që drejtuesit e tyre do të hetohen për veprën penale të trafikimit të mjeteve motorike. Pas verifikimeve të policisë, automjeti tip " Mercedez Benz" TR 925 B që gjatë bllokimit drejtohej nga 22- vjeçari Armand.
M dhe automjeti tip " Opel Zafira" me targa TR 7368 I, e drejtuar nga Ilir. K, 31 vjeç, kanë rezultuar të vjedhura në Itali. Ndërkohë, sipas burimeve të policisë, automjeti i tretë i bllokuar, tip " Audi", që drejtohej nga Arben. L, 46 vjeç pas verifikimeve të kryera ka rezultuar i vjedhur në Gjermani.
Arrestohet në flagrancë hajduti i dyqaneve
TIRANË- Arrestohet në flagrancë në momentet që po vidhte në dyqanin e një tregtari. Nertil Aliaj, 23 vjeç, nga Ballshi, banues në Tiranë, është arrestuar dje në orët e para të mëngjesit nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 2, në rrugën "Stavri Themeli", ndërsa ishte kapur duke vjedhur një dyqan.
Menjëherë ai është dërguar në ambientet e komisariatit të policisë nr.2, ku edhe i është komunikuar arrestimi në flagrancë me akuzën e vjedhjes me thyerje.
Gjatë arrestimit të riut, efektivët blu i kanë sekuestruar një shumë prej 60 mijë lekësh dhe disa sende të tjera që kishte vjedhur në dyqan. Gjatë marrjes së tij në pyetje, adoleshenti fillimisht nuk ka pranuar krimin, por më tej është detyruar të pohojë veprimet edhe pas dëshmisë së pronarit të dyqanit dhe efektivëve të policisë që e kishin ndaluar.
Sipas hetuesve, nëse ai do ta kishte përfunduar më shpejt vjedhjen mund edhe të kishte shpëtuar pasi blutë kanë mbërritur pranë vendit të ngjarjes sapo ai po dilte nga dyqani i vjedhur.
Arrestohet "prodhuesi" artizanal i armëve dhe municioneve
TIRANE- Gjendet një arsenal armësh municionesh dhe lëndësh plasëse në banesën e një fshatari në Pogradec, ndërsa dyshohet si prodhues artizanal i municionit. Policia arreston të zotin e shtëpisë, me akuzën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municoneve luftarake.
Raif Leka, 66 vjeç, banues në fshatin Lekas të Pogradecit, është arrestuar mëngjesin e djeshëm pasi në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar ne cilesine e provës materiale një arsenal armësh.
Policia pohoi se ka sekuestruar dy pistoleta me mulli, dy krëhër me fishekë automatiku, një kuti metalike e mbushur me fishekë të kalibrit 7.62 mm. 38 fishekë luftarakë të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm. Po kështu janë bllokuar 5 kallëp të dyshuar si dhe një enë plastike në brendesi të cilës ndodhej një lëndë e ngjashme me atë të barutit.
Po kështu hetuesit kanë bllokuar edhe disa detonatorë të gjetur në banesë. I moshuari ështa arrestuar nga policia me akuzën e mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve dhe municioneve luftarake.