Gjirokastër, në çdo vit arsimor, rreth 500 nxënës më pak
Në të kundërt me numrin e nxënësve, numri i mësuesve punëkërkues është në rritje
GJIROKASTËR- Informacionet zyrtare të marra pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale të Gjirokastrës bëjnë të ditur se gjatë çdo viti numri i nxënësve që largohen nga shkollat është 400-500. Kështu, vetëm gjatë katër viteve të fundit shifrat flasin për rreth 2 mijë nxënës të larguar. Si shkak kryesor i kësaj uljeje të madhe të numrit, konsiderohet emigracioni, e më pas edhe lëvizjet brenda vendit.
Fenomeni i cili është kthyer në shqetësues, ka prekur më tepër sistemin 9- vjeçar dhe në shifra disi më të ulëta atë të mesëm. Kështu, për shkak të largimeve masive, gjatë viteve të fundit nga 850 mësues që jepnin mësim në shkollat e rrethit të Gjirokastrës, aktualisht janë të punësuar 617, çka tregon një ulje me rreth 233 të numrit të arsimtarëve.
Ndërkaq, shifrat e të diplomuarve në degët e mësuesisë e që presin të punësohen shtohen çdo ditë e më tepër. Deri tani në bazë të statistikave numërohen 520 persona që kanë paraqitur kërkesa e që presin të punësohen. Megjithatë, duket se problematika e këtyre punësimeve është e gjerë dhe mjaft e mprehtë, pasi numri i shkollave të të gjitha cikleve në rrethin e Gjirokastrës është mjaft i vogël nëse krahasohet me kërkesat.
"Mundësitë për t'i punësuar të gjithë të diplomuarit janë shumë të pakta, sepse është duke u zvogëluar numri i nxënësve, veçanërisht në fshatrat e rrethit dhe po synohet krijimi i shkollave të bashkuara në këto zona", sqarojnë burime nga Drejtoria Arsimore. Për çdo degë të mësuesisë në çdo vit mësimor mund të punësohen 1-2 persona, ndërsa lista e pritjes është mjaft e gjatë.
Cikli i ulët dhe gjuhë- letërsi janë degët me kërkesat më të larta, përkatësisht 102 e 101 persona të diplomuar. Fakti që në qytetin e Gjirokastrës funksionon universiteti "Eqrem Çabej" bën që çdo vit të diplomohen mësues të rinj e për pasojë të ngushtohet së tepërmi rrezja e vendeve të reja të punës.