Shkurtimet në arsim, 300 mësues do të marrin pagat për periudhën e ndërprerjes së kontratës
Jonida Tashi
Rreth 300 mësues kanë fituar të drejtën e rrogës, duke u paguar për periudhën e ndërprerjes së kontratës në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Arsimit. Kështu, megjithëse vala e shkurtimeve në arsim përfshinte plot 1300 arsimtarë të punësuar në këtë sektor me kontratë të përkohshme, vetëm një pjesë të vogël të tyre do t’u “buzëqesh” fati që të marrin sërish rrogën, edhe pse janë duke qëndruar në shtëpi. Lajmi bëhet i ditur nga kreu i Sindikatës së Arsimit, Xhaferr Dobrusha, i cili sqaron se presioni që kanë bërë dy organizatat sindikale kryesore për këtë çështje, ka bërë që rreth 300 mësues të fitojnë të drejtën për t’u paguar për periudhën e ndërprerjes së kontratës nga Ministria e Arsimit. Më tej, Dobrusha sqaron se organizata e tij është përballur me vendimet arbitrare të autoriteteve zyrtare në shkeljen e kontratave me mësuesit, duke i larguar ata në kundërshtim me përmbajtjen e tyre.
Lëvizjet
Lëvizja pa kriter profesional e mësuesve është shndërruar në një nga problemet më shqetësuese për Sindikatën e Arsimit, si dhe për vetë arsimtarët që janë prekur nga rekrutimi i pa drejtë i kolegëve të tyre. Për këtë arsye, kreu i Sindikatës së Arsimit, shprehet se kjo organizatë ka në fokus përcaktimin rigoroz të kushteve të emërimeve për mësuesit apo punonjësit në sektorin ndihmës të arsimit. Po kështu dhe për lëvizjet ose transferimet e tyre. “Ne jemi duke i negociuar ato me Ministrinë e Arsimit për të ndërtuar një tjetër kontratë kolektive pas kësaj që kemi me një afat rreth 4 vjet. Po përpiqemi që këtë ta zgjidhim mbi bazën e legjislacionit shqiptar, mbi bazën e kontratave të mëparshme që kemi nënshkruar dhe mbi bazën e konventave ndërkombëtare, të cilat përbëjnë dhe standardet e sotme të punësimit në arsim. Sepse në këtë sektor punësimi bëhet me kontratë kolektive. Parametrat, treguesit, kushtet vihen në këtë kontratë dhe fiksohen mirë dhe të jenë të standardeve bashkëkohore”,- ka deklaruar Dobrusha. Në të gjithë piramidën arsimore të Shqipërisë, nga sistemi parashkollor deri në atë universitar janë rreth 45 mijë mësues, pedagogë si dhe punonjës të sektorit mbështetës për ta. Ky numër zë rreth 45 për qind të numrit total të punonjësve që mbahen nga buxheti i shtetit në vend.
Licenca
Mësuesit do të pajisen me licencë për të ushtruar profesionin e tyre. Kjo është një nga pikat e reja që është përfshirë në draftin e ri për Kontratën kolektive të punës në arsim. Për rrjedhojë, së shpejti arsimtarët duhet të licencohen, pra të kenë marrë nëpërmjet konkursit një licencë, që të njoh aftësitë e tyre për të dhënë mësim në një lëndë të caktuar. Sipas kryetarit të Sindikatës së Arsimit, Xhafer Dobrusha, kjo është një kërkesë për të arritur standardet që kërkon koha. “Kemi bërë marrëveshjen për draftin e ri të Kontratës kolektive, ku do të ketë gjëra të reja. Ky draft është i ndarë në tri pjesë dhe synon që licencimi i mësuesve të bëhet me disa kritere”,- ka sqaruar Dobrusha. Lidhur me këtë çështje, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, kryetari i Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës, Xhafer Dobrusha dhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shqiptar, Bajram Kruja, në rolin e punëmarrësit, kanë nënshkruar në fillim të muajit shkurt, marrëveshjen për Kontratën kolektive të punës. Në këtë marrëveshje u ra dakord për disa ndryshime që duhet të ndodhin në dispozitat e kontratave të reja. Kontrata e rinovuar, e cila shënon fillimin e punës së grupit të MASH-it dhe grupeve të dy sindikatave, synon të ruajë të gjitha standardet e arritura dhe të zhvillojë më tej shumë prej tyre. Mbështetur në Ligjin Nr.7961 datë 12.7.1995 (me ndryshimet përkatëse) dhe Kontratën kolektive të datës 4 korrik 2006, neni 18, pika 2, afati i kontratës ekzistuese do të zgjatet deri në nënshkrimin e një kontrate të re, që do të përfshijë ndryshimet, plotësimet dhe përmirësimet që do t’i bëhen kontratës që është sot në fuqi.
9 Mars 2010