E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurtimet në buxhet, hap i duhur i qeverisë, e mbështesim plotësisht

Përfaqësuesi i FMN-së për Shqipërinë, Gerwin Bell

Tendencat e Partisë Socialiste për ta interpretuar vendimin e fundit të qeverisë për shkurtimet në buxhetin e shtetit, duke i dhënë prioritet investimeve të nisura, të cilat sipas ligjit të ri, rriten me 4.2 për qind, janë shuar teksa Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përgëzuar Qeverinë shqiptare. Shefi i FMN-së për Shqipërinë Gerëin Bell, është shprehur se në kushtet kur ekonomia botërore dhe sistemi bankar janë ende e riskuar nga kriza, vendimi i qeverisë shqiptare për shkurtimet në buxhet, është siguria më e mirë që arka e shtetit të mbahet e kontrolluar dhe në varësi të efekteve të ndërhyhet sërish.
“Ky është një hap në drejtimin e duhur, që ne e mbështesim plotësisht. Tani a janë të mjaftueshme këto shkurtime? Kjo varet nga shumë gjëra, por kryesisht nga ecuria e ekonomisë. Sinqerisht, po të më pyesnin mua, unë do ta shkurtoja edhe më shumë. Megjithatë, është e rëndësishme që edhe pas këtyre shkurtimeve buxheti të mbahet nën kujdes dhe nëse ka rreziqe të tjera të ndërhyhet sërish”- u shpreh kreu i FMN-së për Shqipërinë, Bell.
Ai ka folur edhe për gjendjen aktuale të ekonomisë shqiptare, duke dhënë dhe parashikimet më të fundit të FMN-së.
“Deri tani ecuria e ekonomisë ka qenë e mirë. Në fakt, ne jemi të surprizuar nga rezistenca që ka pasur ndaj krizës. Ka një ecuri më të mirë të eksporteve dhe nga ana tjetër shitjet me pakicë dhe konsumi po mbahen mjaft mirë. Në fillim të vitit ne parashikonim një rritje prej rreth dy për qind për 2010-ën. Tani vlerësimet tona janë për një rritje më pranë tre për qind. Dhe kjo nuk është një ecuri e keqe nëse sheh zhvillimet jashtë dhe ecurinë e vendeve të tjera fqinje”, deklaroi Gerwin Bell.
Më gjerë ai flet për planin e qeverisë në uljen e borxhit të brendshëm nga 59 për qind në 50 për qind. Bell thotë se është e rëndësishme të hidhet dritë mbi një rrugë të qartë për uljen e borxhit.
“çdokush bie dakord mbi faktin që niveli i borxhit është i lartë dhe duhet të ulet. Kjo është dhe detyra që ministria ka ndërmarrë me rishikimin e buxhetit. Problemi me borxhin është se ka një histori të gjatë dhe nuk mund ta sjellësh nga 59 për qind në 50 për qind brenda një dite. është e rëndësishme të përcaktohet një rrugë e qartë se si do të ulet borxhi. Ju e dini që bota ende nuk e ka kaluar plotësisht krizën, ka pasiguri në sistemin bankar të Europës, qeveri në vështirësi për të përballuar borxhin, etj. Pra, ka një sërë rreziqesh dhe kjo është një sfidë edhe për ekonominë shqiptare”, ka përfunduar komentin e tij lidhur me shkurtimet buxhetore të qeverisë shqiptare, shefi i FMN-së për Shqipërinë Gerwin Bell.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›