E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri fton opozitën të angazhohet në zbatimin e rezolutës së PE

Mandatohet kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi për të filluar negociatat me homologun e tij socialist, Ruçi për gjetjen e një zgjidhjeje për ngërçin politik. Berisha i kujton opozitës se vendimet për zgjedhjet dhe votat nuk i jep Kryeministri, por Gjykatat, duke i sugjeruar asaj që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Kreu i qeverisë Sali Berisha përsëri dhe njëherë dje si domosdoshmëri zbatimin e rekomandimeve të rezolutës së parlamentarëve evropianë. Berisha kërkoi bashkëpunimin e opozitës, duke i kërkuar kësaj të fundit të ngrejë komision hetimor për pretendimet lidhur me zgjedhjet ndërsa për sa i takon votave, ky është një vendim që i takon gjykatave dhe jo Kryeministrit të vendit. Berisha i ka dhënë mandatim të plotë kreut të grupit parlamentar të PD-së, Patozi për të filluar negocimin me kreun e grupit socialist, Ruçi për gjetjen e një zgjidhje për ngërçin politik dhe për ringritjen e komisionin hetimor për transparencën e zgjedhjeve.
Berisha theksoi se është gati të ngrejë komision hetimor të ri për hetimin e zgjedhjeve të qershorit te vitit të kaluar, ku propozon që opozita të ketë shumicën në këtë komision. Por, sa i përket votës, brenda në kutitë e votimit, Berisha përsëriti para ligjvënësve demokratë se kjo nuk i takon ta caktojë ai si kryeministër, por Gjykatat.
“Komisionin po të duan, le ta ngrenë prapë, le ta kenë shumicën. Unë nuk kam kundërshtim të lexohet dhe vota, por kjo në bazë të ligjit të Gjykatës Kushtetuese. PS le t’i drejtohet Gjykatës, në rast tjetër edhe Gjykatës së Strasburgut”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.
Sipas kryeministrit, kjo çështje duhet zgjidhur shpejt dhe mirë, pasi po afrohen zgjedhjet lokale dhe shoqëria shqiptare, sipas tij duhet të mbyllë çështjen e 28 Qershorit dhe më pas tu drejtohet sërish kutive të votimit, këtë radhë për zgjedhjet lokale.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha u përqendrua edhe tek shkurtimi i shpenzimeve duke pohuar se vendimi është marrë për t’i dhënë shtysë sektorit privat. Ai pohoi se shkurtimet e shpenzimeve për rreth 25 për qind u bënë me qëllimin që në kohën e një krizë botërore të borxheve, Shqipëria të mos lejojë rritje të shpenzimeve.
Sipas tij, këtë 6-mujor ka rritje 26 për qind të investimeve direkte krahasuar me vitin e kaluar. Berisha tha se përpjekja për mos rritjen e borxhit është qëndrim serioz i përshtatshëm në përputhje me situatën europiane dhe botërore të euros.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›