E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon pa marrëveshje raundi i dytë i negociatave, Ruçi-Patozi



Dy politikanët, Gramoz Ruçi dhe Astrit Patozi kanë biseduar për gati një orë gjatë mbrëmjes së djeshme në ambientet e kryesisë së Kuvendit për çështjen më të nxehtë të hetimit të zgjedhjeve, atë të rinumërimit të fletëve të votimit. Por pas raundit të dytë të negociatave, dy politikanët janë larguar pa dhënë asnjë sqarim rreth përfundimit të bisedimeve. Burimet nga selitë e të dyja partive kanë bërë të ditur se ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje përsa i përket fletëve të votimit. Të dyja partitë kryesore në vend vazhdojnë të mbajnë qëndrim të paqëndrueshëm përsa i përket çështjes së fletëve të votimit. Kështu PS-ja kërkon që fletët e votimit të mos digjen deri në përfundim të procesit të hetimit dhe në rast se është e nevojshme të bëhet rinumërim në disa qendra ku ka dyshime të faktuara për manipulim të procesit zgjedhor. Ndërsa PD-ja e cilëson këtë shkelje të Kodit Zgjedhor dhe këmbëngul se me hapjen e kutive me materialet zgjedhor, fletët e votimit digjen menjëherë. Dy politikanët u takuan rreth orës 18.00 të mbrëmjes së djeshme dhe zhvilluan bisedime për gati 60 minuta.
Komisioni
Pak ditë më parë ata ranë dakord për ngritjen menjëherë të Komisionit Parlamentar të Hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Komisioni në fjalë do të drejtohet nga Partia Socialiste e cila do të ketë dhe shumicën e anëtarëve. Puna do të nisë me hapjen e materialeve zgjedhore. Bisedimet e takimit të djeshëm duket se janë përqendruar kryesisht në teknikën që do të përdoret për t’i shkuar deri në fund transparencës, siç kërkon opozita. Vetë kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi bëri të ditur në përfundim të takimit të parë mes tij dhe Patozit pikat për të cilat ranë dakord dy politikanët. “Pas diskutimeve të gjata unë konfirmoj se së pari, të dy palët ranë dakord për domosdoshmërinë e ngritjes së komisionit hetimor lidhur me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, sa më shpejt të jetë e mundur brenda këtij sesioni parlamentar dhe ky komision të jetë i ri, jo në vazhdim i atij vendimi të mëparshëm të parlamentit. Së dyti, të dy palët ranë dakord që mazhorancën dhe drejtimin e komisionit ta ketë opozita dhe lidhur me këtë në takimet që do të pasojnë të gjejmë modalitetet përkatëse ligjore që kjo dakordësi politike të garantohet ligjërisht. Së treti, ramë dakord që objekti i hetimit të jetë gjithçka që ekziston në kutinë e materialeve zgjedhore. Së katërti, ramë dakord që të gjitha institucionet shtetërore KQZ-ja, apo institucione të tjera private që kanë lidhje me zgjedhjet sipas kërkesave që unë i parashtroj komisionit që mund të ngrejë parlamenti shqiptar, të jenë të detyruara që ti përgjigjen në një afat kohor sa më të shpejtë dhe mundësisht brenda 7 ditësh. Dhe së fundi ramë dakord që të jetë objekti i diskutimit të takimeve që do të pasojnë gjetja e modaliteteve për trajtimin e kutive të fletëve të votimit”, ka bërë të ditur për mediat kryetari i Grupit të PS-së, Ruçi. Më tej Ruçi sqaroi se objekt hetimi do të jenë të gjitha materialet që përmban kutia e materialeve zgjedhore të administruara nga KQZ-ja. Ai tha se deri në zgjidhjen e plotë kësaj çështje marrëdhënie e opozitës me Kuvendin do të vazhdojë të jetë e kushtëzuar. Ndërsa në përfundim të takimit të djeshëm asnjë nga dy politikanët nuk dha sqarime për mediat.

22 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›