Ngricat mbajnë të bllokuar Korçën, makinat me zinxhirë edhe në qytet
Korçë- Situata e ditëve të fundit në qarkun juglindor është rënduar për shkak të kushteve klimaterike. Ndërsa termometri ka regjistruar temperatura disa gradë nën zero gjatë 48 orëve të fundit në qarkun e Korçës, qarkullimi i automjeteve është bërë mjaft i vështirë. Ndërkohë që disa zona në këtë qark janë të izoluara totalisht nga dëbora. Duke iu referuar të dhënave nga Shtabi i Emergjencave Civile pranë Prefekturës së Korçës, mësohet se zona e Dardhës, Vithkuqit, por dhe Moglica e Lekasi janë të bllokuara nga reshjet e borës por dhe akulli. Ndërkaq për sa i përket situatës në akset nacionale, pjesa kryesore e tyre janë të hapura për shkak të ndërhyrjes në kohë me kripë dhe borëpastruese. Duke iu referuar të njëjtave burime, aksi Korçë-Ersekë në Qafën e Qarrit është i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Gjithashtu me zinxhirë qarkullohet dhe në segmentet Korçë-Kapshticë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Dardhë etj. Teksa akset nacionale në pjesën më të madhe të tyre janë të hapura, një situatë shumë e vështirë paraqitet në brendësi të rrugëve të qytetit të Korçës. Mosndërhyrja nga ana e autoriteteve lokale për të larguar borën nga rrugët e tij e ka kthyer qytetin në një zonë tejet të vështirë, ku dhe prania e zinxhirëve e bën qarkullimin në shumë raste mjaft problematik. Ndërkaq të izoluara janë zonat e thella malore në Shtyllë, Panarit, Grabockë, Orgockë, Arzë, Vidohovë etj. Më shumë se 3 mijë banorë prej disa ditësh nuk kanë asnjë kontakt me zonat e tjera përreth, për arsye se trashësia e borës në këto vende ka i kaluar të 40-50 cm.