E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoferët 8 orë në protestë, mbyllet fabrika e bakrit

PUKë -Largimi nga puna i 10 shoferëve i ka kushtuar kompanisë turke "Ber Alb", mbylljen e fabrikës së pasurimit të bakrit në qytetin e Fushë-Arrëzit.
Rreth orës 9:30 të ditës së djeshme, drejtuesit e mjeteve që ishin hequr nga puna janë hedhur në protestë. Ata kanë vendosur kamionët e tyre kryq në mesin e rrugës që lidh lagjen "Nushaj" të këtij qyteti me fabrikën. Revolta e ish-punonjësve ka tronditur përfaqësuesit e kompanisë turke që kanë marrë me koncesion fabrikën e pasurimit të bakrit si dhe minierat e bakrit në Munellë e Lak Rrosi, në rrethin e Pukës. Të njoftuar për bllokimin e aktivitetit të firmës së huaj, forca të shumta policore u angazhuan për të vënë situatën në kontroll. Por, protesta e shoferëve ka agravuar keqazi, deri në konfrontim fizik me kolegët e tyre që janë të punësuar nga kompania në fjalë. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se, pjesëmarrësit në tubim nuk lejuan kamionët që vinin nga minierat të ngarkuar me bakër që të hynin në rrugën e bllokuar. Nisur nga situata e krijuar, punonjësit e kompanisë turke u detyruan që të stakonin agregatët e fabrikës së pasurimit të bakrit. Gjatë protestës maratonë, shoferët kërkuan rikthimin e tyre në punë, duke argumentuar se fabrika është ngritur në tokat e tyre. Ata deklaruan se kishin pranuar ndotjen e ajrit dhe daljen jashtë prodhimit të tokave të tyre bujqësore që shkaktohet nga mbetjet e bakrit, vetëm ngaqë ishin punësuar dhe me rrogën që merrnin mbanin familjet me bukë. Fillimisht, shoferët nuk pranuan kurrsesi largimin nga rruga të kamionëve, ndërsa më pas janë dorëzuar në polici së bashku me fëmijët e tyre. "Ne kemi blerë kamionët nga 50 mijë euro për të transportuar bakrin, ndërsa kompania na largon nga puna. Nuk është normale që të punësohen shoferë nga zona të tjera, dhe ne që vuajmë pasojat të flakemi tej si pa gjë të keq", - pohoi Nikoll Nikolli, njëri nga shoferët e hequr nga puna. Pas afro 8 orësh protestë, ish-shoferët e kompanisë turke 'Ber Alb' u larguan me gjithë mjetet e tyre. U desh ndërhyrja e shefit të Komisariatit të Policisë së Pukës, Gjin Lesi që situata në hyrje të qytetit të Fushë-Arrëzit të qetësohej.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›