E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoferi i Koldashit: “Kam shoqëruar shefin bashkë me Kristopulin”

Seanca e radhës për Remzi Hoxhën, dëshmitë që u dhanë dje te Krimet e Rënda. Ish-ministri Musaraj: “Nuk ka pasur ndonjë atentat ndaj meje”

Laureta Rryçi

Procesit për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha i janë shtuar dje të tjera dëshmi me rëndësi për zbardhjen e çështjes. Dëshmitarët e thirrur nga akuza kanë dhënë versionin e tyre mbi ngjarjen në fjalë. Dëshmia më e fortë ka qenë e shoferit të Koldashit, i cili ka pranuar se ka shoqëruar me makinë nga Saranda për në Lezhë jo vetëm shefin e tij, por edhe Ziso Kristopulin. Ndërkohë që një tjetër dëshmitare me rëndësi ka qenë dhe e bija e Kristopulit, e cila rrëfeu se të atin e kishin torturuar mirëpo ai nuk kishte pranuar në atë kohë të jepte emra. Sipas saj, për shkak të përndjekjes së SHIK-ut, motrës së saj i kishte falimentuar biznesi dhe ishte detyruar të largohej nga Shqipëria.
Dëshmitarët
Ish-ministri i Brendshëm, Agron Musaraj, ka qenë dëshmitar në gjyqin për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. I pyetur për këtë ngjarje, ish-zyrtari i lartë ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për rrëmbimin, por kujton shqetësimin e familjarëve që në atë kohë kishin trokitur në zyrën e tij.
“Pasi mora këtë njoftim nga familjarët, u dhashë urdhrin strukturave përkatëse që të interesohen që ka të ndaluar ose të shoqëruar gjatë kësaj kohe me emrin Remzi Hoxha, në policinë shqiptare. Pas gjysmë ore kam marrë njoftimin që nuk ka të ndaluar dhe të shoqëruar në komisariatet e policisë së shtetit”, - tha Musaraj në dëshminë e tij në seancën e djeshme. Pas tij, ka vijuar me dëshminë e saj Alma Kristopulli. E bija e Ziso Kristopullit ka kujtuar momentet kur i ati i kishte takuar në Qytetin Studenti, ku ajo rrinte së bashku me të motrën studente, pasi ai ishte liruar nga rrëmbyesit. Ajo tha: “Ai ishte i keqtrajtuar dhe mezi ecte, më pas më tregoi pjesët e trupit që ishin të nxira. Nuk fliste dot, dridhej i gjithi. Unë dhe motra nuk kishim asnjë dijeni. Na tregoi që ishte një person, i cili ishte punonjës i SHIK-ut. Tregonte edhe për një person tjetër, të cilit nuk ia mbaj mend emrin, një të shkurtër, nga qyteti i Gjirokastrës. E kishin detyruar që të shkonte me ta duke i thënë se do të takonte dikë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Gjirokastër. Në pjesën tjetër të rrugës, nuk mbaj mend më hollësira, e mbuluan përpara që të mos shihte rrugën dhe përfunduan diku në një ndërtesë që më vonë e mori vesh që ishte në Lezhë”.
Shoferi
Dëshmia tjetër ka ardhur nga shoferi i Avni Koldashit, ish-shefi i bazës së SHIK-ut në kohën e rrëmbimit. Besim Dacja kujton kohën kur ka shoqëruar me makinë për në Lezhë shefin e tij Avni Koldashin dhe Ziso Kristopullin. “Ne ishim në Sarandë dhe Kristopulin e solli policia. Ai u fut në sedijlen e pasme dhe fillimisht e kemi dërguar në Tiranë më pas në Lezhë”, - dëshmoi Dacja. Më tej, ai vijoi duke thënë se nuk mbante mend nëse Koldashi kishte biseduar me Kristopulin gjatë rrugës. Sipas tij, ai kishte kryer vetëm një shërbim për të vëzhguar Remzi Hoxhën. Kur ishte kthyer për të marrë sërish turnin kishte mësuar se kjo çështje ishte mbyllur dhe se ata nuk do të merreshin më me të. Në seancën e radhës janë thirrur për të dëshmuar ish-zëvendësministri i Brendshëm dhe ish-ministri i Brendshëm Halit Shamata, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Agim Shehu, ish-shefi i SHIK-ut Fatos Klosi. Ndërsa në kërkesë ishte parashikuar për t’u thirrur në gjyq, në cilësinë e dëshmitarit, ish-kreu i SHIK-ut Bashkim Gazidede, i ndarë nga jeta pak ditë më parë nga një sëmundje e pashërueshme.

Dosja

Të pandehurit e këtij procesi janë: Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe. Ata akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopullit dhe Abdyl Loshajt. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në shtator-tetor 1995, kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të Rrethit Lezhë. Aty "pengjet" janë torturuar për disa ditë. Për shkak të torturave ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur "Albatros", e cila prodhonte konstruksione duralumini. Zhdukja e tij është denoncuar publikisht edhe nga familja e Hoxhës.

Dëshmia e Ziso Kristopulit

Gjatë dëshmisë së tij, Ziso Kristopulli rindërtoi edhe një herë në sallën e gjyqit momentin e rrëmbimit, transportin e tij për në pikën e SHIK-ut në Vain të Lezhës, torturat çnjerëzore të Budion Meçes dhe Ilir Kumbaros, faktin që kishte parë Remzi Hoxhën, si dhe firmosjen e një dokumenti nën kërcënimin e torturave sikur kishte qenë pjesë e planeve për vrasjen e ministrit të Brendshëm të asaj kohe, trafikut të armëve me Serbinë dhe sabotimin e Kushtetutës. “Jam goditur dhe rrahur vend e pa vend. Në shputat e këmbëve, në bark dhe më pas te gjunjët”, - ka dëshmuar dje Kristopulli, njëri prej të mbijetuarve të rrëmbyer nga SHIK-u në vitin 1995. Më tej, dëshmia e tij ka vijuar përreth dy orë e gjysmë duke risjellë me detaje atë çka i kishte ndodhur vite më parë. Sipas tij, ai është mbajtur peng nga agjentët e SHIK-ut për pesë ditë me radhë në Vain të Lezhës. Dëshmitari ka akuzuar direkt për dhunën dy të pandehurit, Budion Meçe dhe Ilir Kumbaro. Kristopulli u tha gjyqtarëve se e njihte Avdyl Loshajn, për shkak se ai kishte bërë pushime në lokalin e tij, kurse për Remzi Hoxhën u shpreh se kishte dëgjuar në dhomat ku ai torturohej dhe se i kishte dëgjuar të bërtiturat.

5 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›