E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimet me paratë e shtetit, KLSH: “Dëmi shkon në 2.716 miliardë lekë”

Shkeljet më të mëdha në tatime, dogana, prokurime dhe urbanistikë. Dëmi efektiv i përket kohës që nga viti 2005 deri në vitin 2008

Ervin Koçi

Abuzimet me fondet e shtetit nga zyrtarë dhe institucione të ndryshme gjatë viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike janë përmbledhur në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky i fundit, gjatë punës së tij, ka konstatuar në kontrollet e kryera gjatë 9-mujorit të parë të vitit 2008 parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera me dëm efektiv në shumën totale prej 2.716.631.000 lekësh. Nga 107 kontrolle të planifikuara KLSH-ja ka evaduar plot 116 të tilla, nga të cilat: 62 të kombinuara, 46 për rregullshmërinë dhe ligjshmërinë, 4 vlerësuese dhe 4 tematike. Sipas burimeve zyrtare nga KLSH-ja, "ky dëm i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2005-2007, si dhe 6-mujorit të parë të vitit 2008, përcaktuar për çdo subjekt të kontrolluar në programet e kontrollit". Të klasifikuar sipas sektorëve, shkeljet me dëm ekonomik janë konstatuar në tatim-taksa në rrethe të ndryshme, në dogana, në fushën e prokurimeve publike, shpenzimeve të ndryshme qeveritare, dhënies me qira të objekteve dhe pasurive shtetërore etj. Ndërkohë, për vlerën e dëmit ekonomik, KLSH ka rekomanduar zhdëmtimin e dëmit në masën 99.5 për qind. Ndërsa, për të metat dhe shkeljet e konstatuara për çdo subjekt të kontrolluar, KLSH-ja u ka kërkuar organeve të nomenklaturës shqyrtimin dhe marrjen e 693 masave disiplinore dhe administrative. Gjithashtu, gjatë këtij 9-mujori nga ana e KLSH-së janë bërë 24 kallëzime penale, të cilat i janë dhënë për hetim organit të akuzës.

Abuzimet në Tatime

Abuzimet që janë konstatuar nga kontrollet e KLSH-së në administratën tatimore kanë kapur vlerën e përgjithshme prej 1.008.887.000 lekësh. Kontrollet janë bërë në degën e Tatim-Taksave të Tiranës, Elbasanit dhe Pogradecit, ku spikatin detyrime tatimore dhe penalitete për tatimfitimin, TVSH-në, devidentin dhe tatimin në burim, si dhe mosaplikim të gjobave për mosdorëzim në afat të bilanceve financiare. Abuzime janë konstatuar edhe në departamentet e taksave dhe tarifave vendore në Tiranë, Durrës, Vlorë, për moszbatimin e procedurave ligjore në llogaritjen dhe arkëtimin e detyrimeve për taksat dhe tarifat vendore, për subjekte me aktivitet të kategorive të ndryshme. Po ashtu, abuzime dhe shkelje janë konstatuar edhe në Këshillin e Qarkut Korçë dhe në komunën Propisht të këtij rrethi, si dhe në Pogradec, ku shkeljet kanë të bëjnë me mosndalesën e TVSH-së dhe të tatimit në burim. Edhe Drejtoria e Mirëmbajtjes së Rrugëve në Lushnjë është pjesë e këtyre shkeljeve për mosndalim të tatimit në burim dhe të tatimit mbi të ardhurat personale. Abuzime janë konstatuar edhe në komunën e Farkës në Tiranë, në një shumë që kap vlerën e 8.294.000 lekëve, e që është shkaktuar prej mosmbajtjes së tatimit në burim, të taksës së ndërtesës, të taksës së tokës bujqësore, për mosllogaritje të taksës për diferencën midis vlerës së përllogaritur të investimit dhe situacionit përfundimtar, si dhe të mosshlyerjes së taksave vendore nga disa subjekte. Po të njëjtat abuzime janë vërejtur edhe në bashkinë e Durrësit.

Abuzimet në Dogana

KLSH-ja, në kontrollet e saj në 9-mujorin e vitit 2008 ka gjetur shkelje dhe abuzime edhe në administratën doganore, në shumën e përgjithshme prej 694.656.000 lekësh. Këto abuzime u përkasin degëve doganore të Tiranës, Beratit, Shkodrës, Fierit, Sarandës, Vlorës, Qafë-Thanës dhe doganës së Bllatës. Shkeljet u përkasin detyrimeve doganore të papaguara në zhdoganimet e disa artikujve, autoveturave dhe nga subjektet që kanë operuar me autorizim për regjimin e përpunimit aktiv, si dhe mosaplikim të sanksioneve ligjore.

Abuzimet me Prokurimet

Në fushën e prokurimeve publike abuzimet e konstatuara nga KLSH-ja kapin vlerën e përgjithshme prej 718.582.000 lekësh. Sektorët dhe institucionet ku janë konstatuar abuzimet dhe shkeljet në Prokurime janë: Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave në Durrës, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Projekti Mirëmbajtja e Rrugëve, në QSU-në “Nënë Tereza” në Tiranë, në projektin “Furnizimi me ujë i zonës rurale Fushë Krujë-Peshkopi”, ndërmarrja e Ujësjellës–Kanalizimeve sh.a. në Tiranë, si dhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Po kështu abuzime kanë patur edhe Këshillat e Qarqeve: Berat, Elbasan, Durrës, Korçë, si dhe bashkitë e Shkodrës, Shijakut, Krujës, Gjirokastrës, komuna Dajt në Tiranë, komuna Ksamil, komuna Kryevidh në Kavajë.

Urbanistika, bashkitë dhe komunat kanë abuzuar me projektet

KLSH-ja në raportin e saj më të të fundit për 9-mujorin 2008 ka konstatuar, pas kontrolleve të bëra në mjaft bashki dhe komuna të vendit, edhe abuzime të mëdha me urbanistikën dhe fondet përkatëse. Shuma e përgjithshme e dëmeve të konstatuara në fushën e urbanistikës nëpër bashki dhe komuna kap vlerën 153.737.000 lekë. Dëmet më të mëdha që janë konstatuar nga KLSH-ja me paratë e shtetit i përkasin: 1) Komunës Dajt në Tiranë dhe janë shkaktuar prej mospagesës së taksës së infrastrukturës në masën 1 për qind të vlerës së investimit. 2) Komunës Farkë në Tiranë, për mospagim të detyrimit të pallogaritur dhe të pakërkuar prej 1 përqindësh të vlerës së investimit. 3) Bashkisë Divjakë në Lushnjë, për mospagesë të taksës për leje ndërtimi, në kundërshtim me nenin 51 të ligjit nr. 8405 datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”. 4) Këshilli i Qarkut Korçë, si pasojë e mosarkëtimit të tarifës 2 për qind mbi vlerën e preventivit nga 17 subjekte ndërtuese.

KLSH-ja zbulon abuzime edhe në dhënien me qira e pasurive shtetërore

Nga kontrollet e ushtruara prej KLSH-së, edhe një mori sektorësh strategjikë të administratës shtetërore janë konstatuar me abuzime të shumta. Kështu, në fushën e shitjes dhe të dhënies me qira të pasurive shtetërore abuzimet kanë shkuar në shumën prej 10.428.000 lekësh. Në sektorin e shpenzimeve operative, abuzimet kapin shumën e përgjithshme prej 79.703.000 lekësh. Në zërin “të tjera” janë konstatuar shkelje të disiplinës financiare në shumën e përgjithshme prej 30.076.000 lekësh. Në fushën e shpërblimeve nga institucionet shtetërore, abuzimet ose shpërblimet e pamerituara kapin shumën e përgjithshme prej 13.403.000 lekësh. Në fushën e sistemit të pagave shkeljet shkojnë në shumën totale prej 5.010.000 lekësh, si dhe në zërin “mungesë e materialeve” shpërdorimet shkojnë në shumën e përgjithshme prej 2.149.000 lekësh.

5 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›