Rendi sqaron vrasjen e Dakës
04/03/2005 Ministria e Rendit Publik reagon ndaj deklaratave të bëra dje nga deputetët e opozitës. Zëdhënësi për shtyp i këtij dikasteri dha sqarime lidhur me vetëvrasjen e Agim Dakës në zyrën e shefit të krimeve të Komisariatit nr.4. Florion Serjani deklaroi se ngjarja e ndodhur në ambientet e Komisariatit të policisë nr.4 në Tiranë, ku humbi jetën shtetasi Agim Daka, është vlerësuar si e rëndë nga Ministria e Rendit Publik. Ndërsa ekspertët kryen veprimet në vendngjarje, u ndalua shefi i Policisë Kriminale të këtij komisariati, Artan Cuku, dhe është njoftuar organi i Prokurorisë. Oficeri i policisë është pezulluar nga detyra dhe është vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Agim Dakës. Aktualisht është Prokuroria organi i vetëm ligjor që ka të drejtën e hetimit mbi ngjarjen e së premtes mbrëma. "Ministria e Rendit Publik është në pritje të hapave që do të ndërmarrë Prokuroria. Në bazë të vendimeve të organeve të drejtësisë do të vendosë për masat e mëtejshme që do të marrë. Ministria e Rendit Publik mbetet e hapur dhe e gatshme të bashkëpunojë me çdo lloj komisioni që do të ngrejë Parlamenti, për çdo lloj çështjeje që lidhet me dikasterin blu apo Policinë e Shtetit", përfundoi sqarimin Florion Serjani.