Arrestohet, tentoi të vriste shokun
04/03/2005 Policia kriminale e Komisariatit nr.4 vë në pranga një 24-vjeçar nga Valiasi i Tiranës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Qarkut, shprehen se Xhemal Alldervishi ka tentuar të vrasë rreth orës 16.30 të së mërkurës një shokun e tij. Ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ndonëse blutë refuzojnë të rrëfejnë arsyen e saktë që çoi në grindje të rinjtë. Të njëjtat burime pohojnë se Alldervishi ka tentuar ta kryejë krimin me një armë gjahu teke, të cilën e mbante pa leje. Është nevojitur ndihma e dëshmitarëve të tjerë në vendin e ngjarjes, që zënka të përfundojë pa gjakderdhje. Sakaq të lajmëruar nga banorët e komunitetit, në Valias shkoi menjëherë patrulla e shërbimit të rendit të Komisariatit nr.4 për të kryer veprimet e para. Ndërsa, Xhemal Alldervishi, i dënuar më parë për vjedhje, u vu menjëherë në pranga, uniformat siguruan dhe provën materiale. Kësisoj u sekuestrua arma e gjahut si dhe gjurmët e 24-vjeçarit në teke. Kjo vepër parashikohet nga nenet 76, 22 dhe 280 të K.Penal, për "vrasje të mbetur në tentativë" dhe “armëmbajtje pa leje". Materialet iu kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.