Ekstradohet nga Holanda autori i masakrës mbi elektricistin
TIRANE - Interpoli ka ekstraduar dje nga Holanda, të kërkuarin për vrasje në bashkëpunim Sokol Aliaj. Ai u arrestua një vit më parë në Amsterdam, pasi ndaj tij kishte një urdhër ndalimi ndërkombëtar, pasi ishte dënuar në mungesë me 20 vjet burg. Pas katër vitesh në kërkim Sokol Aliaj është arrestuar bashkë me të vëllain, Fredi Aliaj, gjithashtu pjesëmarrës në vrasje, të dënuar për torturimin ekstrem dhe vrasjen e elektricistit fierak Robert Mitro, në zonën e plazhit të Durrësit. Ky i fundit, u gjet në vitin 2004 në Durrës, në bagazhin e makinës së tij, i masakruar dhe i futur në një thes. Në atë kohë policia mendoi për ndonjë ekzekutim mafioz, por investigimi i aktivitetit të viktimës zbuloi se ai ishte një punëtor i thjeshtë elektrik në Fier dhe vrasja kishte lidhje me një histori dashurie, që ai kishte me një 16-vjeçare, e cila ishte kushërirë e parë e Ismet Boriçit, mik i ngushtë i vëllezërve Aliaj, gjithashtu i shpallur në kërkim si ideatori dhe autori kryesor i masakrës. Rreth dy vjet më parë Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dënimin me 54 vjet burg për katër të pandehurit, Ismet Boriçi, Fredi e Sokol Aliaj dhe Platon Pepaj, të akuzuar për vrasjen e kryer në vitin 2004 ndaj elektricistit nga qyteti i Fierit, Robert Mitro. Në vendimin e togave të zeza thuhej se katër personat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kanë rrahur me sende të forta dhe më pas e kanë vrarë. Sipas policisë, viktima Robert Mitro bashkëjetonte me vajzën 16-vjeçare dhe të dyshuarit si autorë pretendonin se kishte për qëllim ta trafikonte, për qëllime prostitucioni. Dyshimet kishin nisur pasi Robert Mitro ishte i martuar dhe babai i tre fëmijëve në kohën kur u ekzekutua. Rreth gjashtë muaj para ngjarjes tragjike për të, Mitro kishte krijuar një marrëdhënie të ngushtë me 16-vjeçaren, e cila ishte kushërirë e Boriçit, ndërsa një fakt i tillë është pritur shumë keq nga familjarët e vajzës.