E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqata e Gjyqtarëve pro KLD-së

• TIRANE - Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve pohoi dje se, mbështet nismën më të fundmit të KLD-së për “skanimin” e pasurive të gjyqtarëve, e cila zhvillohet në bazë dhe për zbatim të ligjit me qëllim luftën kundër korrupsionit.Sipas gjyqtares së kryeqytetit Manjola Bejleri, kryetare e kësaj shoqate, gjyqtarët duke qenë një nga subjektet e zbatimit të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive”, duhet që brenda datës 31 mars të çdo viti të plotësojnë deklaratat e pasurive të tyre, interesave private periodike dhe vjetore. Ajo tha se, rezultati i kësaj nisme pritet që të t’i mundësojë KLD-së përcaktimin e gjyqtarëve të korruptuar për të bërë akuza konkrete, mbi këta persona, ndërsa deri tani është aluduar mbi gjithë sistemin gjyqësor. Sipas Bejlerit, këto deklarata depozitohen edhe pranë KLD-së, ndërsa në bazë të ligjit “Për KLD”-në, ky institucion ka kompetencë që nëpërmjet inspektoratit të vet të verifikojë dhe vërë në dukje çështje për pasuritë e deklaruara nga gjyqtarët, si dhe pajtueshmërinë e veprimtarisë dhe të sjelljes së tyre me kërkesat e përcaktuara në ligj. “Zbatimi i kësaj kompetence dhe i të gjitha hapësirave ligjore, me qëllimin e deklaruar nga KLD për të verifikuar vërtetësinë, rregullsinë dhe të gjitha aspektet e procesit të deklarimit të pasurive, është një mundësi e mirë për të përftuar transparencë të këtij procesi”, përfundoi Bejleri.                           f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›