Sondazhet e ndërkombëtarëve:Gjyqësori sektori më i korruptuar
• TIRANE - Sipas të gjitha sondazheve të kryera nga organizata ndërkombëtare dhe vendase gjyqësori rezulton sistemi më i korruptuar në Shqipëri.Pranë tij qëndrojnë tatimet dhe doganat, por në një sondazh të Bankës Botërore të pak ditëve më parë, i cili u citua edhe nga ministri i Drejtësisë gjatë analizës njëvjeçare të punës së gjykatave të distriktit të kryeqytetit. Madje, sipas tij, tatimet dhe doganat kishin bërë përparime përsa i përket luftës kundër korrupsionit, ndërsa gjyqësori kishte mbetur në vend. Sipas ministrit, në raportin e përgatitur ishte shënuar shprehja se biznesi më fitimprurës në Shqipëri ishte gjyqësori. Kjo deklaratë u kundërshtua ashpër nga gjyqtarët e pranishëm, të cilët i kërkuan ministrit të përcaktonte qartë emrat e gjyqtarëve të korruptuar dhe strategjinë që ai do ndiqte për të luftuar këtë fenomen negativ. Ndërkohë sondazhe të tjerë, rezultatet e të cilëve janë publikuar kohët e fundit tregojnë se, opinioni publik ende percepton një korrupsion të gjerë në sistemin e drejtësisë, ku në çdo nivel kërkohen pa ndrojtje ryshfete të majme. Sipas raportimeve më të fundit të organizatës “Transparency International”, sistemi i drejtësisë në Shqipëri është një ndër më të korruptuarit, krahas shëndetësisë dhe tatimeve. Kërkesa e KLD-së për deklarimin e pasurisë nga ana e gjyqtarëve shihet në vazhdën e përpjekjeve të nisura për të ndryshuar situatën kritike në sistemin e drejtësisë, të mbingarkuar nga paaftësia dhe korrupsioni. Reformimi i sistemit të drejtësisë është një nga kërkesat kryesore të opinionit publik shqiptar dhe organizmave ndërkombëtare. Ndërkohë vetëm pak ditë më parë Parlamenti miratoi një ligj për gjyqësorin, me të cilin mendohet se ky pushtet do të reformohet dhe do të zhvishet nga fenomenet negative. fa.ma.