Shoqata e Hidrokarbureve: Urdhri i ministrit të funksionojë
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve mirëpriti urdhrin e ministrit Naço, për të verifikuar tregtimin e naftës bruto, duke respektuar ligjin. Në një reagim zyrtar, dje shoqata kërkon që kontrolli i nisur me urdhër të ministrit Naço të shtrihet, jo vetëm tek kompanitë që importojnë këtë produkt dhe atyre që e prodhojnë në vend, por edhe në të gjitha pikat e shitjes me pakicë të naftës dhe nënprodukteve të saj. Kryesia e Shoqatës zbatimin e VKM nr 147, datë 21.03.2007 ”Për cilësinë e lëndëve djegëse, benzinë dhe diezel”, për të mos lejuar, daljen në treg të prodhimit vendas të karburanteve, pa certifikimin dhe lejen e Inspektoratit Qendror Teknik. ”Organet tatimore duhet të mos lejojnë daljen në treg të këtyre produkteve, sikundër organet doganore nuk certifikojnë dhe as lejojnë zhdoganimin e importeve pa lejen dhe certifikimin e iQT, për të gjitha subjektet importuese, bazuar edhe në udhëzimin e përbashkët të METE dhe MF, respektivisht nr 4489, dt6.5.2010 dhe nr 4869, dt 5.9.2010” thuhet në reagimin e shoqatës. Grositët kërkojnë që të zbatohen me rigorozitet të gjitha sanksionet që parashikon ligji, nga vendosje gjobe, deri në heqjen e lejes së tregtimit apo të autorizimit përkatës, për ushtrimin e veprimtarisë së kompanive që abuzojnë në këtë drejtim, për të mos lejuar në asnjë rast tregtimin e prodhimit të tyre për t’u përdorur si lëndë djegëse jashtë destinacionit ligjor dhe teknik.