E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqata e Hidrokarbureve, pro rritjes së akcizës për karburantet

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, mbështet rritjen e akcizës për karburantet, e cila u miratua pak ditë më parë në qeveri. Në një njoftim për shtyp shoqata bënë të ditur se pasi u njoh me propozimin e kësaj ministrie për ndryshimin e ligjit Për disa shtesa dhe

ndryshime në ligjin nr.8976, datë 12.12.2002 Për Akcizat, jo vetëm që mbështesim rritjen e akcizës, por do të propozonim që ajo të mos ishte më e ulët se 50 lekë për litër për gjithë llojet e gazoilit me përbërje të squfurit me tepër se 350 mg/kg. Po kështu edhe për vajgurin, vajrat e rënda që përdoren si lëndë djegëse si solar, mazut etj, vajrat lubrifikante, gjithë hidrokarbureve aciklike dhe ciklike. Ndërsa për naftën vergine akciza të mos jetë më e ulët se 70 lekë/litër. Sipas shoqatës mësohet se është e arsyeshme të informohen ligjvënësit dhe opinionin se politika e gabuar në taksim, e ndjekur në vite deri tani, ka bërë që shumë spekulatorë të përdorin këto elementë si zëvendësues të naftës dhe benzinës. Sipas tyre i gjithë tregu i karburanteve të ketë një imazh të keq në opinionin brenda dhe jashtë vendit dhe tu bëhet një konkurrencë e pandershme subjekteve që përpiqen të jenë korrekt me ligjin dhe konsumatorin. Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, është operatori kryesor në fushën e importimit dhe tregtimit të hidrokarbureve, mbështet Ministrinë e Financave që, në vazhdimësi, ka gjetur mirëkuptim në reformat në këtë sektor, në favor të formalizimit të tij. Për ata, që mund të kenë shqetësim se mos përdorimi i këtyre elementëve me akcizë në industri të ndryshme dhe për ngrohje rrit koston, po me anë të mekanizmave ekonomikë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, lehtësisht, me anë të sistemit, mund të kryejë rimbursimet në ata sektorë që i kanë të nevojshme ti përdorin këta elementë, duke justifikuar rimbursimin me prodhime dhe shërbime që ata sektorë deklarojnë. Jemi në pritje që ky propozim sa më parë të kthehet në ligj dhe të hyjë në fuqi. Nga ana tjetër në pak javë çmimet e karburanteve pritet të pësojnë rritje të ndjeshme. Shkak për këtë nuk është ndonjë ndryshim i pritshëm i çmimit në tregjet ndërkombëtare, por arsyeja vjen nga brenda vendit. Qeveria ka përgatitur një propozim për rritjen e akcizave për karburantet dhe disa artikuj të tjerë, drafti i të cilit pritet ti kalojë Kuvendit javën që vjen. Sipas propozimit karburantet do të taksohen edhe me 4 miliard lekë akcizë më shumë në vit, shifër kjo që në finale u kalohet konsumatorëve të këtyre produkteve me rritje të çmimeve. E shprehur në valutë vlera e rritur e akcizave është 40 milion dollarë dhe kjo shtesë u faturohet produkteve të tilla si nafta verginë e vajguri që më parë nuk kanë pasur akcizë si edhe duke rritur masën e taksës për vajrat e makinave, lëndët djegëse dhe hidrokarburet aciklike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›