Rajli s’ka turp: Dua të vij përsëri në Shqipëri
I mohoi Shqipërisë një gol të rregullt me Holandën më 12 shtator të vitit 2007, dhe ngërdheshjen e tij në fytyrë pas ndeshjes, nuk mund ta harrojnë dot tifozët shqiptarë, të irrituar tej mase nga ai vendim absurd. Megjithatë, gjyqtari anglez, Majk Rajli, nuk ngurron të thotë se do të vinte me shumë dëshirë sërish në Shqipëri. Në një intervistë të dhënë për gazetën shqiptare në Maqedoni, “Lajm”, Rajli pohon se do të vinte me shumë dëshirë në vendin tonë.
Cili është qëllimi i ardhjes suaj në Maqedoni?
Kam ardhur në Maqedoni për të folur rreth referimit. Kemi një seminar me gjyqtarë ndërkombëtar ku do të bisedojmë për shumë çështje. Gjithashtu do të prezantojmë eksperiencat tona, që është një vazhdimësi e marrëdhënieve shumë të mira.
Sa e njihni futbollin në Maqedoni?
Është hera e tretë që vij këtu. Kam parë dy ndeshje të kampionatit dhe një të kombëtares. Gjithashtu kam parë mjaft takime edhe nëpërmjet televizionit, sidomos të Kombëtares së juaj, kështu që kam mjaft njohuri për futbollin e këtushëm. Do të ndjek edhe ndeshjen midis Makedonia Gj.P. dhe Renovës.
T’i kthehemi pak biografisë suaj. Sa gjatë jeni gjyqtar?
Sigurisht rreth 30 vite.
Keni profesion tjetër përveç arbitrit?
Më së shumti i përkushtohem arbitrimit edhe pse punoj si ekonomist, në sektorin e financave.
Çfarë është përgjegjësia të jesh gjyqtar në Premier Ligë.
Është një përgjegjësi shumë e madhe. Aty zhvillohen ndeshje të mëdha dhe sigurisht se duhet të lodhesh shumë për të ia arritur qëllimit. Duhet me përgjegjësinë më të madhe të përkujdesesh që gjithçka të shkojë në mënyrë korrekte. Kështu që arbitrimi në Premir Ligë është një punë shumë e madhe.
Keni gjykuar në shumë ndeshje derbi. Mund të na thoni ndonjë moment të keq ose të mirë?
Gjëja e fundit më mbresëlënëse është kur stadiumi është i mbushur përplot, t’i futesh në fushë, ekziston një atmosferë e mrekullueshme dhe kjo të bën të ndjehesh krenar. Për shembull kur kemi takime si Aston Villa–Liverpul, Mançester–Çelsi etj., vetëm të ecësh nëpër stadium është mrekulli.
Po ndonjë moment të keq?
Sigurisht se ka pasur ndeshje kur vendimet ndoshta nuk kanë qenë korrekte dhe janë shkaktuar situata të vështira. Megjithatë vit pas viti gjithçka shkon mirë e më mirë.
Në Premier Ligë ka shumë futbollist të famshëm, që janë yje. A ju ka ndodhur që për shkak të famës së tyre të merrni ndonjë vendim të gabuar.
Kur futem në fushë nuk i shikoj futbollistët si të famshëm ose jo, por vetëm si futbollist normal. Çdo gjë që bëj është të marr vendimin në mënyrën sa më reale, që nëse është momenti për gjuajtje të lirë duhet të referohet vetëm si e tillë ose edhe me ndarjen e kartonëve.
Ju ka ndodhur që futbollisti të ketë merituar karton të kuq dhe ju t’i jepni atij karton të verdhë.
Ka ndodhur ndonjëherë edhe ndonjë vendim i tillë. Ky vendim është marrë në bazë të ndjenjave. Por pastaj në video ke vërejtur se ke bërë një gabim. Por në raste të tilla duhet të të ndihmojë edhe gjyqtari anësor.
E keni ndëshkuar ndonjëherë Pol Gaskonjin. Ka qenë lojtar problematik?
Kam gjykuar në dy-tre ndeshje ku ka luajtur ai. Është lojtar i madh që e do shumë futbollin. Kur futej ai në fushë çdonjërin e bënte ta donte atë. Bënte gjeste interesante.
Tifoz i cilit klub jeni?
Unë jam tifoz i “Uothrum Junajted”, klub i divizionit të katërt, që është nga vendi ku vij unë.
Po në Premier Ligë?
Nuk jam tifoz i asnjë klubi në Premier Ligë.
A do të donit ta vizitonit Shqipërinë ose Kosovën?
Me kënaqësi do ta vizitoja Shqipërinë ose Kosovën. Nëse do të më ftonin me kënaqësi do t’i vizitoja këto vende dhe do të ndaja me ata eksperiencat e mia si gjyqtar. Kjo është e mira të jesh një arbitër.