Shoqata e të Verbërve, kallëzim penal për ish-ministrin Barka dhe ministrin Duro
Shoqata e të Verbërve do të bëjë kallëzim penal në prokurori me motivacion shkelje e detyrës dhe e të drejtave të njeriut, për ish-ministrin e Punës, Kosta Barka si dhe për atë aktual, Anastas Duro. Vendimi i marrë së fundi nga Shoqata e të verbërve bëhet i ditur nga vetë kreu i saj, Sinan Tafaj. “Detyrimet kanë filluar të mospërmbushen që nga viti 2005. Pra nuk është bërë indeksimi i pagesës së verbërisë pas vendimit përkatës për të verbrit në vitin 2005, është bërë në mënyrë të gabuar në vitin 2006 dhe ka vazhduar të mos bëhet në vitin 2008, dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite të mos zbatohet një vendim i paligjshëm për pjesën që vjen në dobinë tonë. Pra bëhet fjalë për ish- ministrin Barka dhe ministrin aktual, zotin Duro. Do të bëjmë kallëzim penal në organin e Prokurorisë”, - deklaron Tafaj. Megjithëse qindra të verbër protestuan para disa ditësh përpara Ministrisë së Punës dhe Kryeministrisë për kërkesat e tyre ekonomike, ata ende nuk kanë marrë një përgjigje zyrtare nëse këto kërkesa do të marrin një zgjidhje. Për këtë, kryetari i Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj, shprehet se do t’i lënë afat qeverisë për të reaguar deri në datën 30 prill. Sipas tij, nëse qeveria nuk do të reagojë për të verbrit brenda kësaj date, kjo kategori do të ndërmarrë veprime si: bllokim të akseve rrugore, protesta, por dhe masa të tjera që do të bëhen publike në ditët në vijim.
27 Prill 2009