“Tik-Tak”, Çmimi i Artit Bashkëkohor AMC për artet pamore
Në Galerinë FAP, ditën e hënë 21 shkurt, do të organizohet ceremonia e hapjes së ekspozitës me punimet e edicionit të radhës të konkursit Çmimi i Artit Bashkëkohor AMC për Artet Pamore. Ky edicion është emërtuar Tik-Tak që sipas atij që kujdeset për këtë edicion, Ardian Isufi, përkon me vetë filozofinë e harmonisë së kohës në hapësirën e përditshme të individit. Janë përzgjedhur për të marrë pjesë në fazën finale, nga ku do dalë edhe fituesi i Çmimit për Artit Bashkëkohor AMC në Artet Pamore, punimet e 10 artistëve. Këta artistë të rinj janë të gjithë studentë aktualë dhe ish-studentë të Akademisë së Arteve. Në këtë konkurs të rinjtë kanë parashtruar konceptet e tyre artistike mbi kohën dhe hapësirën duke i materializuar në vepra artistike. Artistët e rinj kanë mbi tri muaj që punojnë për realizimin e këtyre veprave, nëpërmjet punimeve të ndryshme si në pikturë, instilacion apo edhe vepra kinetike. Çmimi i Artit Bashkëkohor AMC për Artet Pamore është nismë që synon të ngjallë interesim për artistët e rinj dhe të nxisë kreativitetin tek të rinjtë, duke u dhënë mundësi të krijojnë vepra artistike e më pas t’i ekspozojnë. Tik-Tak është pjesë e projektit “Qyteti i arteve”, që organizohet nga Akademia e Arteve dhe që ka realizuar 34 veprimtari kulturore, përfshirë shfaqje, ekspozita dhe aktivitete të tjera. Ekspozita me punimet e përzgjedhura do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datën 5 mars.