Shoqatat e magjistratëve: Kuvendi nuk zbatoi vendimin e Kushtetueses për formulën e re të pagave

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve reaguan sot lidhur me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rregullimin e pagave të magjistratëve, duke deklaruar se nga data 1 gusht 2026 hyn automatikisht në fuqi formula e re e përllogaritjes së pagave.
Në një deklaratë të përbashkët, tre shoqatat njoftojnë se kanë ndjekur me përgjegjësi procesin për rregullimin e statusit financiar të magjistratëve, pas kërkesës së paraqitur në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tyre, pas kërkesës së paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit, me vendimin e datës 17 shkurt 2026, shfuqizoi ndryshimet ligjore që cenonin statusin financiar të magjistratëve përmes një uljeje të fshehur të pagës dhe përcaktoi kriteret për miratimin e një rregullimi të ri.
Shoqatat e magjistratëve theksojnë se “Gjykata Kushtetuese detyroi Kuvendin të miratonte ndryshimet përkatëse deri më 31.07.2026 dhe përcaktoi se, në rast mosveprimi, do të zbatohej formula e përllogaritjes së pagave sipas funksionarit të administratës së lartë publike, referuar vendimit nr. 35/2022”.
Sipas shoqatave të magjistratëve, pavarësisht afatit të përcaktuar, nga ana e Kuvendit nuk u miratuan ndryshimet ligjore të nevojshme.
Shoqata e magjistratëve theksoi se efekti i formulës së re nisi në 1 gusht.
Në përfundim të reagimit, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve shprehen se do të kërkojnë zbatimin e plotë dhe korrekt të vendimit të Kushtetueses.
“Ky proces nuk lidhet vetëm me respektimin e të drejtave të magjistratëve, por mbi të gjitha me respektimin e Kushtetutës dhe të vendimeve përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese. Zbatimi i tyre është një detyrim për çdo institucion dhe një garanci për funksionimin e shtetit të së drejtës”, nënvizuan shoqatat e magjistratëve.
Shoqatat theksojnë se mbeten të angazhuara për të ndjekur zbatimin e këtij vendimi dhe rikonfirmojnë gatishmërinë për të kontribuar në mënyrë konstruktive në këtë proces.

/m.q/j.p/r.e/