Pesë emra në garë për Prokuror të Përgjithshëm

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Pesë kandidatë kanë hyrë në garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm pas mbylljes së afatit të aplikimeve.
Sipas medieve, kandidaturat janë: Fatjona Memçaj, prokurore në Eurojust, aktualisht në mandatin e saj të dytë; Arta Marku, ish-prokurore e Përgjithshme e Përkohshme; Ylli Pjetërnika; prokurorja e Tiranës, Rovena Bozo; si edhe prokurori i SPAK-ut, Adnan Xholi.
Procedura për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm u hap nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), i cili shpalli thirrjen publike për nisjen e procedurës administrative të përzgjedhjes së kandidatëve, pasi në muajin dhjetor i përfundon mandati prokurorit Olsian Çela.
Afati i fundit i aplikimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ishte 1 gushti, por duke qenë se ishte e shtunë, aplikime priten edhe këtë të hënë.
Me mbylljen e afatit të aplikimeve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjedh dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar me pikë dhe më tej lista me tre emrat i dërgohet Kuvendit ku duhet të marrë 3/5 e votave të deputetëve.
Nëse Kuvendi nuk e zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e kandidatëve, emri i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë konsiderohet i emëruar automatikisht.
/m.q/j.p/r.e/