Zjarri në Finiq, prefektja Alushi për ATSH-në: Po ndërhyhet me helikopter nga ajri

TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Një vatër zjarri është aktivizuar sot në vendin e quajtur Matomare, në territorin e bashkisë së Finiqit.
Prefektja e qarkut të Vlorës, Evis Alushi tha për ATSH-në se “sapo ka mbërritur helikopteri për shuarjen e zjarrit, ndërkohë që janë mobilizuar edhe Forcat e Armatosura, krahas forcave nga Mbrojtja nga Zjarri dhe Shpëtimi nga Finiqi dhe Delvina”.
Për shkak se flakët mund të përparonin në drejtim të Mesopotamit, u kërkua ndërhyrja edhe nga ajri për të penguar përhapjen e flakëve dhe për të shmangur rrezikun për zonat e banuara.
Allushi tha se “operacioni do të vijojë deri në vënien nën kontroll të vatrës së zjarrit”.
Temperaturat e larta të këtyre ditëve kanë sjellë rrezik të lartë për përhapjen e zjarreve ndërsa strukturat e mbrojtjes civile janë në gatishmëri për mbështetje në çdo situatë rreziku.
/k.s/j.p/r.e/