E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkelën rregullat e qarkullimit, gjobiten 2198 drejtues mjetesh përgjatë një jave në Gjirokastër

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Policia e Rrugore e Gjirokastrës ka kryer monitorim intensiv me dronë, radarë dhe makina inteligjente në të gjitha akset e qarkut, për të parandaluar ngjarjet rrugore me pasoja, si dhe për të menaxhuar trafikun, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror.

Shefi i Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Gjirokastër, Artan Tarka, gjatë një deklarate, theksoi se ndër fokuset e punës së Policisë Rrugore të Gjirokastrës janë evidentimi dhe ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve që drejtojnë mjetin, në efektin e alkoolit, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, kryejnë parakalime të gabuara dhe kalojnë limitin e shpejtësisë, shkelje që përbëjnë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore.

Sipas policisë, si rezultat i monitorimit, gjatë periudhës 23 korrik deri me 31 korrik, është arrestuar 1 drejtues mjeti dhe janë proceduar penalisht 6 të tjerë, për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, si dhe janë pezulluar 3 leje drejtimi.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë vendosur gjithsej 2198 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht: 834 masa për parakalime të gabuara; 663 masa për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara; 460 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar; 14 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse; 7 masa për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit; 4 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 216 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Kontrollet nga Policia Rrugore do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›