E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqëria italiane: Nuk jemi të përfshirë në projektin e centralit shqiptar

Prej kohësh ishte vënë në qendër të mediave si asaj shqiptare ashtu dhe asaj italiane, si shoqëria që i kishte shprehur Kryeministrit Berisha interesin për të ndërtuar një central bërthamor në Shqipëri. Por dje, drejtuesit e shoqërisë italiane, të lodhur nga ky fakt, deklaruan zyrtarisht se nuk kanë pasur asnjë kontakt me qeverinë shqiptare për ndërtimin e ndonjë centrali bërthamor, duke përgënjeshtruar kështu zërat e përhapur gabimisht nga media, por edhe nga njoftimet e shtypit të dala nga Kryeministria. "Camuzzi nuk ka dhe nuk parashikon në të ardhmen asnjë rol ose interes për energjinë bërthamore dhe mbi të gjitha nuk ka ndër mend të përfshihet në projektin e reklamuar nga qeveria shqiptare për ndërtimin e ndonjë centrali bërthamor", deklaroi shoqëria me anë të një note zyrtare. Tymnaja e krijuar me emrin e shoqërisë italiane ndërlikohet edhe më tepër, kur në faqen zyrtare të Kryeministrisë shkruhet se shoqëria e interesuar për ndërtimin e centralit atomik në Shqipëri është "Camozzi". Drejtuesit e kësaj të fundit pranojnë se kanë pasur vetëm një takim me qeverinë shqiptare, ku kanë biseduar për të investuar në fushën e energjisë, por asnjëherë nuk është folur për projekte konkrete. Lajmi i centralit bërthamor në Shqipëri është trumbetuar fort nga qeveria në mediat e vendit dhe ato ndërkombëtare, por mediat italiane thonë se deri tani nuk ka asnjë projekt apo interes konkret për këtë nga ndonjë shoqëri italiane.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›