E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi, çmimi i naftës drejt 200 lekë për litër

Çmimi i naftës në treg pritet që shumë shpejt të ketë një tjetër valë rritje. Këtë radhë alarmi vjen nga vetë importuesit, disa prej të cilëve nuk ngurrojnë të thonë se brenda verës çmimi mund të arrijë deri në 200 lekë për litër. "Sot në Portin e Durrësit po zhdoganojmë naftën "Diesel" me 155 deri lekë për litër. Vetëm pak ditë më parë nafta vinte në port me një çmim prej 145 lekë për litër", thotë Ibrahim Aktoz, drejtor i Përgjithshëm i "Alpet". Por paralajmërimi për një rritje tjetër shumë të shpejtë të çmimeve sakaq të larta të naftës vjen edhe nga importues të tjerë. OPEC paralajmëroi pak kohë më parë se deri në fund të vitit çmimi i naftës mund të arrijë deri në 200 dollarë për fuçi, nga 137 që është aktualisht, çka konfirmon më tepër parashikimet pesimiste për rritje tjetër të fortë të çmimit. Aktualisht, nafta e tipit D2 po shitet në tregun shqiptar me 160 deri në 162 lekë për litër.

Importi

Shqipëria importon mesatarisht 300-400 mijë tonë naftë në vit. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara dje nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për 5 muajt e parë të vitit importi i karburanteve në vend arriti në 147 mijë e 700 tonë. Nafta e tipit "Diesel" shitet aktualisht në bursën e Platts-it me 1213 dollarë për tonë, ndërsa eurodieseli me gati 1300 dollarë për tonë. Sipas përllogaritjeve vetëm për 5 muajt e parë të vitit importet e karburanteve kanë kushtuar më shumë se 180 milionë dollarë. Në vitin 2007, Shqipëria importoi rreth 300 milionë dollarë karburante. Për këtë vit parashikohet se importi i karburanteve do të marrë rreth 500 milionë dollarë

Çmimet e paqëndrueshme

Dje, çmimi i naftës shënoi një ulje me rreth katër dollarë për fuçi, duke arritur në 132 dollarë nga 136 që ishte. Tregu i karburanteve është bërë më i paqëndrueshëm se kurrë, teksa çmimet ndryshojnë brenda pak minutash. Disa analistë ndërkombëtarë e shpjegojnë këtë me faktin e spekulimeve që po ndodhin në treg. Por pavarësisht këtyre, parashikimet janë që çmimet të vazhdojnë të rriten. "Do të jetë një verë mjaft e dhimbshme për të gjithë ata që kanë automjete", raportonin mediat amerikane dje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›