Bylykbashi: PS-ja po e zvarrit qëllimisht procesin
Interpretim krejt të ndryshëm i kanë bërë demokratët tërheqjes së djeshme të socialistëve nga padia e depozituar më 30 qershor dhe me anë të së cilës kërkohej kundërshtimi i tabelës së rezultatit të Bashkisë Tiranë dhe pavlefshmëria e zgjedhjeve. Përfaqësuesi i PD në Kolegjin Zgjedhor, Oert Bylykbashi, menjëherë pas kësaj séance akuzoi PS-në se po zvarrit në mënyrë të qëllimshme procesin zgjedhor, duke përdorur taktika proceduriale. “Jemi përballë një taktike zvarritëse të Partisë Socialiste. Boll të numërojmë numrin e kërkesave ankimore që ka paraqitur PS. Kjo është e paprecedent nuk ka ndodhur asnjëherë, por është në zgjedhje të tyre që të ndjekim këtë taktikë të tyre. Qëndrimi ynë është që procesi të përfundojë sa më parë, që qytetarët e Tiranës të kenë një fitues, dhe në fakt Tirana sot e ka një fitues”. Bylykbashi theksoi gjithashtu për mediat se PS me kërkesën e saj për tërheqje kreu gjithashtu dhe sulm ndaj Kolegjit Zgjedhor. “Taktika e PS është që në mënyrë të qëllimshme ta zvarrisë sa më shumë që t’i ulë vlerën këtij procesi, por është e pamundur, se vota është po ajo. Megjithatë, sot jemi para një kërkese që ka një veçanti, në mënyrë të qartë, sulmoi Kolegjin, u tha se nuk kemi besim tek ju, se kështu përkthehet kjo kërkesë e PS, d.m.th. ata thonë ne e tërheqim këtë kërkesë padi se kërkojmë një shans më të mirë”, - tha Bylykbashi. Ai bëri të ditur gjithashtu se një përpjekje e tillë e PS-së vjen në kundërshtim me vullnetin e PD-së për t’i dhënë fund kësaj situate postzgjedhore, duke e shqyrtuar çështjen në themel. “Ne sot ishim para mundësisë ta shqyrtonim me themel kërkesën për pavlefshmëri, por ata përdorën trukun procedurial. Numëroni rastet kur PS është tërhequr nga procesi gjatë këtij procesi dhe do shihni që ata në mënyrë të qëllimshme duan të zvarrisin procesin zgjedhor, që të arrijë atje ku ata duan të arrijnë. Por Kodi Zgjedhor nuk lejon të tilla taktika”, - shtoi Oerd Bylykbashi.