E Diel, 1 Nëntor 2026

Shorti i Champions: Priten dy "finale" të parakohshme

Katër skuadra angleze në çerekfinale dëshmojnë se futbolli britanik ka vendosur një lloj hegjemonie në Evropë. Asnjëherë më parë në Ligën e Kampioneve nuk kishte ndodhur që një vend të përfaqësohej me gjysmën e skuadrave pjesëmarrëse në fazën me eliminime. Por sot, në shortin që do të hidhet në Nion të Zvicrës, Mançester Junajted, Arsenal, Çelsi e Liverpul rrezikojnë të vendosen përballë njëra-tjetrës. Sfidat "angleze" kanë qenë pjesë thelbësore e kupave evropiane, që prej finales së Kupës UEFA në edicionin 1971-72 (Totenhem-Volverhempton), deri në turin e parë eliminator të Kupës së Kampioneve në edicionin 1978-‘79, kur Notingam Forest i drejtuar nga Brajan Klug eliminoi Liverpulin e Bob Peislit. Megjithatë, derbi ndërmjet skuadrave angleze në Champions nuk kanë qenë asnjëherë aq të shumta sa ato mes skuadrave spanjolle apo italiane. Kjo edhe për faktin se klubet e Britanisë së Madhe kanë dominuar në këtë kompeticion në vitet ‘70 dhe ‘80, periudhë kur nga një komb luante vetëm një skuadër (ose maksimalisht dy, kur fitueses së kampionatit i shtohej fituesja e Kupës). Rikthimi i sfidave angleze është regjistruar në sezonin 2003-‘04 (Çelsi-Arsenal, që është edhe derbi londinez), ndërkohë që Çelsi dhe Liverpuli kanë luajtur plotë gjashtë ndeshje radhazi (2004-05 në gjysmëfinale, 2005-‘06 në fazën e grupeve, 2006-‘07 sërish në gjysmëfinale, 2 ndeshje janë fituar nga "Reds", 3 kanë përfunduar në barazim dhe vetëm 1 është fituar nga "blutë").

Roma do të dëshironte të evitonte përballjen me skuadrat britanike, me të cilat ka vuajtur gjithmonë. Verdhekuqtë regjistrojnë një humbje me Arsenalin në edicionin 2002-‘03, tre rezultate negative me Liverpulin (më i rëndi ka qenë finalja e Kupës së Kampioneve e humbur me penallti në shtëpi në sezonin 1983-‘84), humbjen turpëruese 7-1 me Mançester Junajted vitin e kaluar (skuadra e Spaletit ka humbur edhe një ndeshje gjatë këtij edicioni). Italianët i tremben edhe Çelsit (skuadër me të cilën nuk kanë luajtur kurrë në Champions). Është e vështirë që të gjesh elementë intrigues nga çdo sfidë e mundshme ku luan Fenerbaçe, edhe sepse skuadra e vetme turke që ka fituar një trofe në Evropë është Gallatasarai, që në finale ka fituar përballë Arsenalit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Shalken, megjithëse një sfidë e mundshme anglo-gjermane (cilado qoftë ajo), nxit padyshim interes.

Skuadra e fundit, por jo për nga rëndësia, është Barcelona. Një sfidë e katalanëve me cilëndo nga katër britaniket e kualifikuara në çerekfinale do të bëhej automatikisht finalja e parakohshme e këtij edicioni. Skuadra e Rajkard ka një precedent me Arsenalin: finalja e edicionit 2005-‘06, e fituar nga "blaugranat" (në atë periudhë Tierri Henri mbronte ngjyrat e "topçinjve"), ndërsa me Liverpulin përballjet e së kaluarës janë të shumta, por në sfidat me eliminim, anglezët janë në avantazh. Në fund me Mançester Junajted: në vitin 1991 "Red Devils" i mundën 2-1 spanjollët në finalen e Kupës së Kupave, ndërsa në sezonin 1998-99 dy skuadrat u përballën në fazën e grupeve, duke i mbyllur të dyja ndeshjet me dy barazime spektakolare 3-3. Një sfidë e denjë për dy klube kampione...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›