E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fabrika e çimentos në Postribë, banorët prej 10 vitesh në pritje

SHKODËR/ Investimi që do të kryhej në fshatin Mes pritej të hapte vende pune për rreth 800 banorë, por asgjë s’ka ndodhur

SHKODËR - Ndërtimi i fabrikës së çimentos në fshatin Mes të komunës Postribë të Shkodrës, ka shumë vite që pritet nga banorët e kësaj zone, por megjithëse investitori ka dhënë disa herë afate, ato kanë skaduar dhe fabrika ende nuk ka nisur të ndërtohet. Për banorët e këtij fshati që është dhe qendra e komunës Postribë, mosndërtimi i fabrikës, e cila ka 10 vjet që flitet, nuk është dhe aq problematik, edhe pse pritej që ajo të ndihmonte në ngritjen e nivelit ekonomik të banorëve dhe rritjen e mirëqenies së tyre. Problemi kryesor qëndron në faktin se disa prej familjeve të kësaj zone, tokën mbi të cilën është parashikuar të ndërtohet objekti dhe është marrë dhe leja e ndërtimit nga KRRTSH, është tokë private, por që i është dhënë investitorit me kusht kthimin e saj në gjendjen e mëparshme, pasi të fillojë të ndërtohet objekti. Në komunën Postribë shpjegojnë se pas dhënies së lejes dhe sheshit të ndërtimit në vitin 2004, investitori gjerman kërkoi pronësi toke në mënyrë që të gjente financimin e duhur, pasi pa pasur certificatë pronësie ishte e pamundur gjetja e parave për ndërtimin e fabrikës. “Fabrika e parashikuar të ngrihet në Mes ka një sipërfaqe prej 82 dynym ose 8,2 ha tokë. Duke qenë se toka është në pronësi të fermerëve, me ta investitori gjerman ka nënshkruar një kontratë, ku ata i kanë njohur ligjërisht pronësinë mbi këtë sipërfaqe, pasi atij i duhej certifikata e pronësisë në mënyrë që të siguronte paratë për të investuar. Në kontratën ligjore të nënshkruar me të, parashikohet një pagesë prej rreth 1 milion $ për tokën, ose në rast se nuk ndërtohet fabrika, rikthimi i kësaj toke në pronësinë e mëparshme. I gjithë investimi kap një shifër prej 140 milionë $ dhe pritet që ai të sigurohet nga investitori gjerman dhe të fillojnë punimet. Por ndërtimi i kësaj fabrike është kthyer në një enciklopedi. Prej 10 vitesh pritet të fillojë ndërtimi i saj, por kjo akoma nuk ka ndodhur. Po ndërsa deri më 2004-n, investitori nxirrte si pengesë zvarritjet për dhënien e lejes së ndërtimit së bashku me sheshin përkatës, këtë vit ajo u dha nga KRRTSH-ja. Banorët që i kanë dhënë tokën investitorit janë të shqetësuar. Ata duan të punojnë tokën, ta shesin apo dhe ta lënë peng për kredi të ndryshme, por janë të penguar nga fakti se certifikatat e pronësisë i ka investitori gjerman. Për ta rikthyer tokën tek pronarët e mëparshëm , komuna duhet të kalojë nëpër proces gjyqësor. “Vazhdojmë të rrimë me shpresat që jep investitori gjerman që ka marrë dhe lejen përkatëse, por duket se asgjë nuk do të bëhet”, shprehet kryetari i komunës Postribë, Faz Shabaj. Banorët e fshatit Mes tregojnë se ngritja e kësaj fabrike është parë si shpresë për punësim, pasi mendohet se aty do të punësohen rreth 800 banorë, ndërkohë që kjo komunë me 12 000 banorë ka rreth 1000 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike, pasi dhe toka këtu është e pamjaftueshme, vetëm 900 ha tokë. Firma që është interesuar për ndërtimin e kësaj fabrike, sipas kryekomunarit Faz Shabajt, ka ndërtuar 15 të tilla në Evropë e Azi, ku 2 janë në Greqi. Në pritje të fillimit të këtij investimi,banorët e fshatit Mes, sidomos ata që kanë vënë tokën në dispozicion të ndërtimit të fabrikës, shprehen sekanë sakrifikuar nisur nga fakti se fabrika do t’i shërbejë pozitivisht gjithë zonës, pasi ata akoma nuk kanë marrë paratë për këtë tokë. Ky investim, i cili është një investim privat i huaj prej vitesh ka ngjallur shpresë tek banorët e Postribës , të cilët shihnin aty një mundësi punësimi. Sipas specialistëve, të dhënat lidhur me pasurinë e territorit pranë fshatit Mes , që krijon mundësinë për të siguruar lëndë të parë për një fabrikë çimentoje kanë qenë që në vitin 1976. Në vitin 1998 ishte investitori gjerman Verner Vintermajer dhe firma “Spacelift Cemet Group sh.p.k Albania” që shfaqën interes për ndërtimin e kësaj fabrike në këtë zone. Ishin specialistët gjermanë ata që bënë studimet gjeologjike, sizmike, elektrike, argjilore e lidhur me lëndën e parë, dhe pasi u siguruan të dhënat e nevojshme, u bindën se këtu kishte interes për të ndërtuar një fabrikë çimentoje. Madje, sipas tyre, kjo fabrikë do të ketë një kapacitet prej 1,2 milionë ton çimento në vit, çimento kjo e një cilësie të lartë, e markës 900. Pas sorollatjeve me shtetin shqiptar, i cili duhej të miratonte sheshin dhe lejen e ndërtimit, u arrit që më 17 prill 2004, të miratohej kjo nga KRRTSH-ja. E, ndërsa banorët presin, shpresat e durimi i tyre sa vijnë e pakësohen. Kryetari i komunës Postribë, Faz Shabaj, shprehet se komuna do t’i mbështesë banorët në rast se do hapet procesi gjyqësor për rikthimin e tokës, dhe do jetë ajo përfaqësuesja e tyre, por akoma nuk është vendosur të merret ky hap i fundit dhe përsëri vazhdohet të pritet investitori gjerman.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›