Kapet me 222 kg drogë anëtari i PD-së
Uniformat blu bënë të ditur se presin vënien në pranga edhe të dy bashkëpunëtorëve të tjerë të kryeplakut
GJIROKASTËR – Kapet me 222 kilogram drogë Reshat Ademaj, kryeplak i fshatit Varfaj e njëkohësisht anëtar i PD-së në Këshillin Bashkiak të Bashkisë Delvinë. Ai u arrestua në orët e para të mëngjesit të së dielës nga ana e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, në dalje të fshatit ku ai banon, së bashku me mjetin transportues të lëndës narkotike. Ishte një operacion blic i pagëzuar me emrin “Sopoti” i ndërmarrë nga policia e Gjirokastrës, për të goditur trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike.
Operacioni
Uniformat blu të Gjirokastrës ishin vënë në dijeni se përmes malit Sopot në krye të fshatit Lazarat, disa persona ishin gati të transportonin me kuaj dhe kafshë të tjera transporti një sasi të konsiderueshme lënde narkotike që kishte për destinacion Delvinën, dhe më pas, përmes detit, Greqinë. Rreth orës 01:00 të së dielës, operacioni nisi në malin e Sopotit dhe pas ndjekjes për disa orë të karvanit që transportonte marijuanë, u bë e mundur që të arrestohej në flagrancë edhe një prej autorëve të këtij transporti. Reshat Ademaj, kryeplak i fshatit Varfaj, u kap nga policia në një bahçe me ullishte së bashku me automjetin e tij, si dhe sasinë narkotike. Ademaj u kap në flagrancë duke ngarkuar në karrocerinë e kamionit të tij, tip “Benz” me targa DL 2767 A, gjashtë çanta shpine në brendësi të së cilave kishte marijuanë. Kryeplaku kishte vendosur dru zjarri mbi çantat për t’i maskuar në rast se do të haste ndonjë postbllok policor gjatë udhëtimit. Kjo për faktin se Ademaj zotëron licencë për shfrytëzimin e druve të zjarrit. Por, ndërsa Ademaj u prangos nga uniformat blu, dy shtetasit e tjerë të cilët qenë transportuesit e lëndës narkotike nga Lazarati deri në Delvinë, kanë mundur të largohen menjëherë duke u favorizuar nga errësira, si dhe terreni i vështirë dhe moti i keq.
Hetimet
Policia ndërkohë pohon se ka arritur të identifikojë dy personat që mundën të largoheshin gjatë operacionit të bluve, por emrat e tyre nuk janë bërë publik për shkak të hetimit. Ndërkaq mësohet se në çdo çantë të sekuestruar kishte nga 37 kg marijuanë, duke çuar në një total prej 222 kilogramësh. Nga ana e saj, Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar lëndën narkotike dhe kamionin që do ta transportonte atë, ndërkohë që mbi kryeplakun e fshatit Varfaj, Reshat Ademaj, rëndon vepra penale e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Vetëm gjatë tre muajve të fundit, Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Gjirokastër ka zhvilluar pesë operacione të koduara për goditjen e trafikut të lëndëve narkotike duke sekuestruar rreth një ton marijuanë dhe arrestuar 10 personanë flagrancë.