Berat, automjeti shkrumbohet në mes të rrugës
BERAT- Shkrumbohet një automjet në mes të rrugës, dyshohet se shkak është bërë një masë elektrike. Mësohet se mjeti është djegur pasditen e së shtunës në fshatin Vodicë të rrethit të Beratit, ku si rezultat i shpërthimit janë vënë në alarm kalimtarët e rastit. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 në dalje të qytetit në aksin rrugor Berat-Skrapar. Një mjet tip “Golf” me targa BR 1162 B, që udhëtonte nga Poliçani në drejtim të Beratit mësohet se ka shpërthyer si pasojë e një mase të krijuar në pjesën motorike të mjetit. Në automjet ndodheshin tre anëtarë të një familjeje. Rapo Kuqi, pronari i automjetit po udhëtonte me bashkëshorten dhe fëmijën e tij. Mjeti është përfshirë nga flakët dhe më pas ka shpërthyer, duke shkaktuar panik tek udhëtarët e rastit. Drejtuesi i mjetit dhe dy familjarët e tij kanë zbritur menjëherë sapo kanë parë shkëndijat e flakëve të shfaqura në makinë. Qenë kalimtarët ata që lajmëruan zjarrfikësen dhe policinë e qytetit, të cilët kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes duke bërë të mundur fikjen e zjarrit dhe duke shmangur përhapjen e flakëve. Nga hetimet e para rezultoi se shkak i rënies së zjarrit dhe më pas shpërthimit është ka qenë një masë elektrike e krijuar në motor.