E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti, gjysmë buke në ditë për 6 jetimë

PERSONAZH/ Historia në Gurabardh ku 10 fëmijë nga dy familjenë hasmëri provojnë varfërinë ekstreme. Shteti hesht

ELBASAN- Fëmijët kanë mbetur jetimë pas vrasjes së babait të tyre, ndërsa shteti jep për të gjashtë të miturit vetëm 1700 lekë të reja në muaj, para që nuk dalin as për të blerë një bukë në ditë. Kjo është historia e fëmijëve të Shyqyri Çollakut, të cilët kanë mbetur jetimë dhe jetojnë në një varfëri ekstreme. Vetëm disa muaj më parë, babai i tyre ndërroi jetë në spital pas një konflikti për tri pula me komshiun, ndërsa si rrjedhojë shteti i harruar duke i lënë në mëshirë të fatit. Vetëm 1700 lekë është sasia e parave që jepen për të rritur të gjashtë pas humbjes së kryefamiljarit, ndërsa për nënën nuk jepet asnjë lloj ndihme. Skamja arrin më përtej, kur gjyshi 64-vjeçar i është rikthyer ustallëkut për të ndihmuar që nipërit e tij të mbijetojnë. Pesë prej tyre kanë moshën nga 3 në 13 vjeç, çka i bën të paaftë për t’u kujdesur sadopak për veten e si rrjedhojë, në mungesën e gjithçkaje, madje edhe të ujit të pijshëm, ëndrra e tyre kufizohet në veshjet e përditshme. Nuk kanë ngrohje dhe nuk shkojnë në shkollë. E vetmja ndihmë për ta deri më tani kanë qenë 50 mijë lekë të reja të dhëna nga komuna për ushqim. Ujin e pijshëm e marrin me kilometra larg, ndërsa shtëpia e dëmtuar nga shpërthimi i granatës që çoi në vdekjen e kryefamiljarit, është në gjendje të mjerueshme, ashtu si edhe vetë jeta e tyre.

Familja Filja

Por në të njëjtën situatë janë edhe 4 fëmijët e familjes Filja, babai i të cilëve ndodhet në burg për vrasje. Edhe gjyshërit e 4 fëmijëve kanë gjetur punë për të mbajtur fëmijët e djalit vrasës. Gjyshi i tyre është kthyer në grumbullues ullinjsh dhe me paratë e shitjes ushqen nipërit e mbesat e vegjël.

Zanafilla

Gjithçka nisi nga një vrasje që u shkaktua nga tri pula, por u shndërrua në një tragjedi për dy familje: të viktimës dhe të vrasësit. Ngjarja u regjistrua në fshatin Gurabardh, jo shumë larg Elbasanit, më 13 prill të këtij viti. Dy familje, ajo Çollaku dhe Filja, u përfshinë në një grindje pasi kryefamiljari Rifat Filja dyshonte se tri pulat e motrës së tij të martuar i kishte vjedhur Shpëtim Çollaku. Për këtë, ai merr një granatë ofensive dhe e hedh brenda shtëpisë. Në shtëpi ishte vetëm kryefamiljari, ndërsa djali i vogël ishte në oborr. 33-vjeçari i plagosur rëndë gjeti vdekjen në spital pas disa orësh për shkak të plagëve të marra. Në orët e agonisë ai akuzoi si autor për granatën e hedhur 39-vjeçarin Filja. Pas disa orësh u bë edhe arrestimi i autorit, i cili shurdh-memec dhe i pashkollë, nuk ka mundur të japë shpjegimet e veta për arsyet e kryerjes së krimit. Gjykata ende nuk ka dhënë një vendim për këtë ngjarje, pasi nuk ka një ekspert për të përkthyer fjalët e autorit të krimit, ndaj të cilit ekziston dëshmia e viktimës. Gjithashtu, ajo ka hedhur poshtë kërkesën e avokatit për ta shpallur të paaftë mendërisht.LETRA

Topalli e Berisha, asnjë përgjigje për fëmijët

Askush nuk është interesuar për këta fëmijë që ëndërr të vetme kanë gjërat më të domosdoshme në jetë. Veç përfaqësuesi i deputetit, Bukurosh Stafa, është kujtuar të shkruajë dy letra, e para drejtuar kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, dhe e dytë drejtuar Fondacionit të drejtuar nga Liri Berisha. Por ende këtyre dy letrave nuk u është kthyer përgjigje, ndërsa 10 fëmijët e dy familjeve që nuk kanë asnjë faj për veprimet e prindërve të tyre, përballen me të ftohtët dhe vështirësitë maksimale për të mbijetuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›