E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpallet i pafajshëm drejtori i parkut, Petrit Stefa

26/05/2009  Akuza për shpërdorim detyre dhe vjedhje, gjykata e hedh poshtë

Prokuroria kërkoi burg, gjobë dhe heqje të ushtrimit të detyrës

SHKODER- Gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër ka shpallur të pafajshëm drejtorin e parkut të udhëtarëve Petrit Stefa. Drejtori Stefa akuzohej për vjedhje dhe shpërdorim detyre nga Prokuroria e Shkodrës, e cila kishte filluar hetimet menjëherë pas denoncimit të disa punonjësve të parkut të autobusëve, për konsumimin e këtyre veprave nga drejtuesi i tyre. Në seancën e djeshme trupi gjykues ishte mbledhur për të dhënë vendimin përfundimtar ndaj drejtorit Stefa, pasi në seancat e mëparshme ishte njohur me akuzat e ngritura nga Prokuroria dhe mbrojtjen që bëri avokat Bujar Hoti. Në përfundim të kësaj seance, trupi gjykues e shpalli të pafajshëm drejtorin Stefa për veprat penale që akuzohej. Nga ana e saj akuza bëri të ditur se do ta shpinte këtë çështje në Gjykatën e Apelit, pasi gjykata e shkallës së parë nuk mori parasysh arsyetimin e organit të akuzës, duke e lënë të lirë dhe pa asnjë dënim tjetër drejtorin Stefa. Në seancën e mëparshme Prokuroria e Shkodrës e përfaqësuar nga prokurorja e çështjes Edlira Cufi, i kërkoi trupit gjykues shpalljen fajtor të drejtorit Stefa, për veprat penale të vjedhjes dhe shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë Prokuroria kërkoi dhe dënimin e të akuzuarit Stefa me 14 muaj heqje lirie, si dhe me masën e gjobës prej 10 milionë lekësh. Përveç kësaj mase dënimi, Prokuroria kërkoi dhe dënimin e të akuzuarit Stefa me mosushtrim të të detyrave drejtuese në administratë për tre vitet e ardhshme. Kërkesat e Prokurorisë nuk u morën parasysh nga gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër, e cila e liroi nga çdo akuzë drejtorin Stefa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›