E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjerohet tregu i sigurimeve, arrin në 2,7 milionë lekë

26/05/2009  Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare vlerëson se volumi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar është rritur gjatë katër muajve të parë të vitit. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 46% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 54% të totalit të tregut. Sipas ekspertëve të AMF-së, kjo tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve, ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare. Në periudhën janar - prill 2009, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 230,621 duke shënuar një rritje prej rreth 29% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Rritja e numrit të kontratave në 2009 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 2,659 milionë lekë, shifër kjo 29% më e lartë se ajo e të njëjtës periudhë të vitit 2008. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, që sollën rreth 92% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 8%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›