E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpallet në kërkim djali i kreut të shtabit elektoral të PS-së

21/04/2011  Birjan Syzo goditi një vajzë dhe një djalë. Pak ditë më parë i vunë tritol në banesë

POGRADEC- Djali i kreut të shtabit elektoral për Partinë Socialiste në qytetin e Pogradecit dhe konkretisht Birjan Syzo, po kërkohet nga policia e këtij rrethi për veprat penale “të kanosjes” dhe “dëmtime të tjera me dashje”, parashikuar nga nenet 84 dhe 90 të Kodit Penal, pasi ky shtetas për motive të dobëta kishte kanosur dhe më pas kishte goditur dy shtetas: një vajzë 19-vjeçare dhe një djalë 18 vjeç, që të dy banues në qytetin e Pogradecit. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje dy shtetasit e dëmtuar, vajza me inicialet J. D. dhe djali me inicialet L. Y., ishin paraqitur në komisariatin e policisë së Pogradecit, ku kishin depozituar një kallëzim penal në ngarkim të shtetasit Birjan Syzo, 20 vjeç, lindur dhe banues në lagjen nr. 1 të Pogradecit. Sipas dy shtetasve të sipërpërmendur, gjithçka mes tyre dhe Syzos, kishte ndodhur për motive të dobëta. Nisur nga kallëzimi penal i dy të rinjve, policia e Pogradecit ka filluar procedimin penal ndaj Syzos, ndërsa aktualisht policia po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit, ndërsa materialet tashmë i kanë mbërritur Prokurorisë së rrethit gjyqësor Pogradec për hetime të mëtejshme.

Shpërthimi dhe (sh)përdorimi i ngjarjes

Birjan Syzo dhe familja e tij u vu në qendër të vëmendjes së mediave për disa ditë me radhë, pasi pranë shtëpisë së tij u vu një sasi lënde plasëse (tritol), ku nga shpërthimi i tij u dëmtuan dritaret e banesës së tyre. Meqenëse babai i Birjan Syzos, dhe konkretisht Vasfi Syzo ishte një veprimtar i njohur i Partisë Socialiste në këtë qytet dhe njëherazi kryesues i shtabit elektoral, për fushatën e zgjedhjeve vendore, ngjarjes iu dhanë ngjyra politike. Partia Socialiste akuzoi si autore të vënies së eksplozivit Lëvizjen Socialiste për Integrim. Edhe pse LSI-ja i konsideroi si trillim të gjitha deklaratat e bëra nga PS-ja, shpërthimi i eksplozivit nisi të përdorej edhe në fushatë me synimin për të denigruar kandidatin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Megjithatë, pas hetimeve të kryera nga policia rezultoi se shkaktar i vendosjes së eksplozivit pranë shtëpisë së familjes Syzo kishte qenë vetë djali i tyre, Birjan Syzo, pasi ky i fundit, pak kohë më parë kishte pasur një konflikt me tre shtetas të tjerë. Këta shtetas ishin: Dorjan Hoxha, 20 vjeç lindur dhe banues në fshatin Buçimas në Pogradec, i dënuar më parë për veprat penale të “goditjes për shkak të detyrës”, “të plagosjes së lehtë me dashje” dhe të “falsifikimit dhe mbajtjes të kartëmonedhave”; Enrik Xhambazi, 20 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Buçimas të Pogradecit, si dhe Altin Jashallari, 28 vjeç, lindur në fshatin Kalivaç të Pogradecit dhe banues në fshatin Buçimas në Pogradec, të cilët u arrestuan nga policia fal operacionit të koduar “Tronditja”.

Sekuestrimi i armëve dhe municioneve

Pas arrestimit tre shtetasit pohuan se eksplozivin në shtëpinë e Vasfi Syzos e kishin vendosur për shkak të një konflikti që kishin pasur me Birjan Syzon, pra me djalin e Vasfi Syzos. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tre të arrestuarve, policia mundi të sekuestronte në cilësinë e provës materiale 6 copë kallëpe 200 gramësh e dyshuar si lëndë eksplozive (tritol), 2.500 fishekë, model 56, kalibër 7.62 mm, 11.8 gram lëndë e dyshuar si kanabis sativa, një automjet tip BMW me targa TR 4818 U, 3 aparate telefoni celular dhe 6 karta telefonike të kompanive të ndryshme, gjë që tregon qartë për aktivitetin kriminal të të tre të arrestuarve. Së fundi, emri i Birjan Syzos u rishfaq sërish mjaft shpejt, ku pas një konflikti për motive të dobëta, kanosi dy të rinj dhe veç kësaj i kishte goditur ata. Tashmë policia po punon për kapjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›