E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallja e rezultatit të zgjedhjeve, sherr Gjonçaj-Ristani

PS, Gjonçaj: Mandati i 71 i PD, ishte shifër politike
Një ditë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përthyer në mandate nga zëdhënësi i KQZ, Leonard Olli, ku shpalli PD fituese me shumicë mandatesh, ndërkohë që janë në proces numërimi kutitë e fundit,  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërthyer në debate gjatë mbledhjes së djeshme pikërisht për këtë çështje. Anëtari socialist i KQZ, Genci Gjonçaj akuzoi kryetarin e KQZ, Arben Ristani dhe zëdhënësin e KQZ se kanë abuzuar me detyrën duke dalë me qëndrime për rezultate përfundimtare ndërkohë që priten rezultatet e disa kutive që do të numërohen në Tiranë. Por, Ristani tha se risia e ditës së djeshme ka qenë vetëm përkthimi i shifrave në mandate. Ristani gjithashtu e mbrojti deklaratën e Ollit, me argumentin se çdo deklaratë e bërë nga KQZ është në kuadër të transparencës që ky institucion ka garantuar se do të manifestojë në këto zgjedhje parlamentare. Anëtari Gjonçaj i kërkoi Ristanit shpjegime rreth deklaratës së Ollit që sipas anëtarit socialist sollën konfuzion tek populli që është nën ethet e pritjes së rezultatit. Me keqardhje njoftoj se deklaratat e KQZ po ngjajnë si me deklaratat që bëhen nga selia e Partisë Demokratike. Bëj thirrje zoti kryetar se duhet të distancohemi nga politika. Momentalisht smund të flasim për rezultate, pasi nuk kemi mbaruar ende kutitë e fundit, duhen pritur dhe ankimimet e partive, ndaj nuk mund të dilet në rezultate si ajo e djeshmja, që shërbeu për manipulimin e opinionit, u shpreh gjatë mbledhjes së KQZ, Gjoncaj. Kryetari i KQZ nga ana e tij e mbrojti deklaratën e zëdhënësit të KQZ me pretendimin se gjithçka u bë në kuadër të zërit të transparencës, dhe jo si në zgjedhjet e kaluara, ku sipas Ristanit, transparenca ka munguar. Risia e ditës së djeshme sipas Ristanit ka qenë vetëm përkthimi i shifrave në mandate. KQZ e ka organizuar punën dhe organikën e zgjedhjeve shume transparente. Gjate gjithë ditës së votimit janë dhënë shifra për pjesëmarrjen dhe informacione për rezultate qe dilnin pas çdo kutie, gjë që ishte paralajmëruar. Risi e djeshme është deshifrimi. Shifra është deshifruar dhe këtë mund ta bëjë gjithkush. Le ti përkthejmë shifrat ne mandat, janë të publikuara në faqen tonë zyrtare. Le ta bëjnë llogarinë e le të shohin, u shpreh Ristani. Debati zgjati më tej me këmbënguljen e Gjinçajt, i cili u shpreh se Olli, të paktën të vinte në sallën e KQZ si kundër ka ardhur dhe të shikonte se aty qëndrojnë edhe disa kuti të tjera pa numëruar, janë kut të cilat mbajnë brenda fletëvotimi që do të numërohen nëkëtë komision. Nuk mundet të paraqesim para opinioni publik shifra të cilat nuk janë reale, shifra të cilat bëjnë tifozërinë e radhës për një formacion politik, por që KQZ duhet të jetë totalisht i shkëputur nga kjo frymë politike e politizimit të zgjedhjeve. Pa një vendimmarrja zyrtare të KQZ askush nuk mund të dalë të infotmojë publikun. Informimi në këtë formë është problematik dhe antiligjor. Ndaj në emër të Partisë Socialiste ju bëjmë thirrje që urgjentisht të distancohuni nga kjo veprime të tilla që shkaktojnë një disinformim, u shpreh Gjonçaj. Ndërkaq, po gjatë ditës së djeshme grupet e numëruesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë nisur numërimin e fletëve të votimit të kutisë së fundit të Kurbinit, qarku Lezhë. Kutia, është e gjashta në radhë që i përket KZAZ numër 39 të qarkut të Lezhës. 5 kutitë e para u numëruan dje në KQZ ku në të pesta kryesoi PD. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përfundoi të shtunën në mesditë numërimin e kutisë së gjashtë dhe të fundit të votimit të Fushë Kuqes, që i përket KZAZ-së nr. 39 në Qarkun e Lezhës. Rezultati i votave të numëruara të kësaj KZAZ nuk e ndryshoi numrin e mandateve të fituara në këtë qark nga dy koalicionet kryesore Aleanca e ndryshimit dhe Bashkimi për ndryshim, pasi numri i votave nuk ishte i mjaftueshëm për një mandat deputeti. Aktualisht, në Qarkun Lezhë, sipas rezultatit paraprak të KQZ, koalicioni i drejtuar nga PD ka fituar 4 mandate, ndërsa ai nga PS tre mandate. Pas përfundimit të këtij procesi për Lezhën, pritet numërimi i votave për 9 QV në Qarkun e Fierit, përkatësisht të KZAZ nr. 19, nr. 20 dhe nr. 22. Por Komioni Qëndror i Zgjedhjeve diskutoi dje për edhe ankimimin e LZHK, subjekt i cili paraprakisht nuk ka marrë asnjë mandat në këto zgjedhje parlamentare.

************************************************************                                                                                                         
Zgjedhjet, mbërritën në KQZ edhe dy kutitë e Patosit   
Zhbllokohet situata edhe në Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve në Patos të qarkut të Fierit. Dy kutitë e kontestuar janë sjellë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Tashmë ky institucion pritet të vendose për vlefshmërinë e 8 kutive të qarkut të Fierit. Procesi i numërimit në 3 KZAZ e Fierit ishte bllokuar prej ditësh për shkak te mosmarrëveshjeve me komisionerët. Si rrjedhojë KQZ miratoi një vendim për tërheqjen e këtyre kutive në Tiranë. Mirëpo transportimi i këtyre kutive nuk qe i lehtë, pasi barorët e kësaj zone këmbëngulën që këto fletë të numëroheshin në KZAZ përkatëse.  

Last Updated on Sunday, 05 July 2009 20:57

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›