Ceka: Veprimi i Metës, një veprim i drejtë dhe demokratik
Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike Neritan Ceka, në një prononcim për gazetën SOT, deklaroi se veprimi i LSI për të qeverisur me Berishën është një veprim i drejtë, sepse LSI tregoi edhe një herë se ajo me programin e saj doli aty ku dëshironte, sepse ajo kishte një program qeverisës dhe jo një program për të ndenjur në opozitë.
Sipas Cekës, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka tradhtuar kurrsesi interesat e së majtës shqiptare, por përkundrazi ka reaguar në një mënyrë shumë demokratike dhe të drejtë, ku sipas tij ajo tregoi edhe një herë se është një parti shumë demokratike dhe me individë të aftë për të çuar vendin drejt zhvillimit. Ceka tha se LSI tregoi se është një parti e majtë e moderuar, që për interesat Shqipërisë dhe të shqiptarëve bëri veprimin e duhur, duke treguar se është e gatshme të bashkëpunojë me këdo për të vazhduar rrugën e zhvillimit të vendit, dhe përkundrejt kësaj i bëri dhe një herë të qartë liderit të Partisë Socialiste Rama se ai është një diktator i vërtetë, i cili nuk e përballon mendimin kundra brenda partisë që ai drejton. Meta tregoi një pjekuri të madhe politikë në momentin që ju përgjigj pozitivisht thirrjes së Berishës, për të formuar një qeveri për të gjithë shqiptarët, dhe të gjithë shqiptarët sot duhet të jenë të kënaqur me këtë vendimmarrje, pasi tani u rrëzua ai mur i madh i mentalitetit të vjetër i cili nuk lejonte dhe nuk pranonte që dy forca politike të kaheve të ndryshme nuk mund të qeverisin vendin, deklaroi Ceka. Ndërsa shtoi se tani e tutje shqiptarët do të kenë dy programe qeverisëse ku do të merren pikat më të mira dhe më të favorshme të secilit program dhe koha do të tregojë që kjo do të jetë dhe qeveria më e suksesshme. Gjithashtu Ceka deklaroi se e majta e madhe e kryesuar nga Edi Rama nuk ka përse të jetë e mërzitur, dhe nuk duhet të ketë hatërmbetje, pasi tregoi se nuk ishte një parti me frymë të re por përkundrazi treguan edhe një herë se egoja për pushtet e liderit të tyre i kaloi të gjitha kufijtë, sa që në garën elektorale Rama nuk arsyetonte më, sepse etja për pushtet i kishte zënë sytë, dhe të gjitha partitë politike i dukeshin sikur ishin kundërshtarë të PS, duke futur edhe aleatët e tij. Ndër të tjera Ceka deklaroi, se Rama gjatë gjithë fushatës elektorale ka dalë kundra LSI. Unë nuk mund ta konceptoj sot, se si mund të dalë një njeri si Rama apo dhe një bashkëpunëtor i tij dhe të shprehet se ajo që bëri Meta ishte tradhti, kur vetë Rama u tregua një tiran i vërtetë dhe nuk pranonte në mënyrë absolute që të bashkëqeveriste me aleatët e tjerë të majtë, tha Ceka. Ndërsa deklaroi se dhe dalja e tij nga koalicioni që PAD pati me PS erdhi si shkak i politikave intriguese dhe imponuese të Edi Ramës. Ceka theksoi se Shqipëria kishte nevojë për një qeveri shumë partiake, ku të majtë dhe të djathtë të qeverisin bashkërisht.