E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDI kërkon të bashkojë deputetët çamë në partinë e tyre

Dashamir Tahiri, thirrje Idrizit dhe Demit
Kandidati i partisë Drejtësi për Integrim Dashamir Tahiri, i cili fitoi mandatin për deputet në qarkun e Vlorës, i bëri thirrje të gjithë deputetëve të tjerë pavarësisht se çfarë ngjyre politike përfaqësojnë, por që janë me origjinë çame ti bashkohen PDI, ndërsa Tahiri është i vetmi deputet që do të përfaqësojë PDI në parlamentin e ardhshëm. Të gjithë deputetët me origjinë çame të cilët fituan mandatin për të zënë vende në parlamentin e ri me 140 deputetë, pavarësisht nëse i përkasin të majtës apo të djathtës, ti bashkohen PDI-së, deklaroi Tahiri. Përveç Tahirit deputetë të tjerë me origjinë çame janë Leonard Demi që është deputet i Partisë Demokratike, i cili fitoi mandatin në qarkun e Vlorës, si dhe Shpëtim Idrizi kandidati i Partisë Socialiste, edhe ky fitoi mandatin në po këtë qark. Sipas tij të gjithë deputetët çamë duhet të bashkohen për të ngritur edhe më lart zërin e një populli të cilit i janë mohuar të drejtat në vite. Prandaj jam këtu sot, për tu bërë një thirrje të gjithë kolegëve të mi deputetë, të majtë dhe të djathte, për tu bashkuar me PDI-në, për të çuar përpara çështjen kombëtare, theksoi Tahiri. Gjithashtu Tahiri siguroi dhe një herë se nuk ka arsye që ta çojnë atë larg koalicionit me Partinë Demokratike, ai theksoi se nuk ka asgjë të vërtetë nga zërat që kanë dalë, se PDI ka vendosur të largohet nga koalicioni me Partinë Demokratike dhe ti bashkohet Partisë Socialiste. Ai theksoi se do të jetë zëri për mbrojtjen e të drejtave çame, që për kaq kohë ju janë mohuar. Do të jem zëri juaj në Kuvend. Do të përfaqësoj çamët dhe Çamërinë, për të thënë fjalën tonë, për të zgjidhur çështjen tonë, u shpreh Tahiri Gjithashtu Tahiri u shpreh shumë i emocionuar për mesazhet e shumta që i kishin ardhur për ta uruar. Ai theksoi se ndihet shumë i lumtur dhe i karikuar për që ka marrë mbi vete barrën e mbrojtjes së interesave çame. Ai theksoi se do të kërkojë mbrojtjen me çdo kusht  të drejtat e çamëve dhe të Çamërisë jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë diasporën.Është koha e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe një patriot i vërtetë nuk do të ngurronte në një situatë të tillë, ndaj ju ftoj pa humbur kohë të bëhemi pjesë e historisë, deklaroi Tahiri. Ndërkohë qa ai përmendi disa ngjarje historike të cilat kishin të bënin me bashkëjetesën ndërmjet komunitet vlonjat dhe atij çam, duke shtuar se të gjitha të mirat dhe të këqijat populli çam i ka kaluar së bashku me qytetarët vlonjatë. Ndër të tjera Tahiri theksoi se çështja çame është e një rëndësie të veçantë, dhe se do të ketë mbështetjen e plotë të PDI, por ajo duhet mbështetur edhe nga deputetët e tjerë jo çamë në parlament, ku theksoi se çështja çame është prekur fare pak gjatë këtyre viteve të demokracisë në Shqipëri. Sipas Tahirit qeveria e ardhshme duhet të jetë qeveria e të gjithë shqiptarëve, dhe nuk duhet të ketë dallime midis të majtëve, të djathtëve, çamëve dhe pakicave të tjera kombëtare, sepse sipas tij sot është koha që të gjitha komunitet që jetojnë brenda territorit të Shqipërisë duhet të trajtohen si të barabarta, dhe të gjithë duhet të japin kontributin e tyre për të vazhduar reformat në mënyrë që shumë shpejt dhe Shqipëria të bëhet pjesë e Evropës. Gjithashtu Tahiri kërkoi dhe një herë që të rishikohen kutitë e KZAZ-ve të Fierit, të cilat i morën një mandat pa të drejtë Partisë Drejtësi për Integrim, duke shtuar se PS manipuloi zgjedhjet por nuk mund të ndalojë zërin çam në parlament. Në fund të fjalës së tij Tahiri deklaroi se ai përveçse do të jetë deputeti i cili do të kërkojë të mbrohen të drejtat e çamëve, do të jetë dhe deputeti i cili do të kërkojë mbrojtjen e interesave të të gjithë shtetasve të cilët ndodhen në territorin e Shqipërisë, por pa harruar dhe çamët dhe shqiptarët e tjerë të diasporës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›