E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpani: RTSH është kthyer institucion vegël, në shërbim të PD

PDK dënon qëndrimet e njëanshme dhe dashakeqe të RTSH
Partia Demokristiane nëpërmjet një deklarate për shtyp ka dënuar ashpër qëndrimet e njëanshme të RTSH dhe ka kërkuar shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni. Ka mëse një vit, që në kundërshtim të hapur me ligjin nr 84 10, i ndryshuar, Për Radion dhe Televizionin Publik e Privat në Republikën e Shqipërisë, RTSH vazhdon diversionin kundër PDK, vazhdon përpjekjet për të dëmtuar imazhin politik të kësaj partie, duke u shndërruar në një vegël të verbër në duart e një klani në pushtet, që kërkon të zvogëlojë peshën elektorale të PDK- së. Janë me dhjetëra rastet gjatë vitit të fundit, që ky institucion bllokon dhe nuk transmeton lajmet e Partisë Demokristiane, ndërkohë që në kundërshtim flagrant me ligjin, keqpërdor emrin dhe siglën e PDK-së, duke u dhënë hapësirë në programet informative individëve, që nuk përfaqësojnë këtë parti, vijon deklarata. Nisur nga fakti, që në bazë të ligjit, Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së përgjigjet për programet në mënyrë që ato të jenë në përputhje me parimet e programimit të vendosura në ligj, Partia Demokristiane, nëpërmjet kësaj deklarate për shtyp i kërkon Këshillit Drejtues të RTSH-së shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së si dhe të drejtuesve të tjerë të lartë të implikuar në shkeljen e ligjit. Ndër të tjera, citohet se drejtuesit e sotëm të këtij institucioni, që financohet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, e kanë fshirë me kohë konceptin e shërbimit publik dhe e kanë kthyer RTSH-në, në një institucion në shërbim të qeverisë dhe të partisë në pushtet, ku ndër të tjera kjo deklaratë thekson se ky institucion vazhdon të funksionojë si në kohën e partisë së Punës, për të manipuluar publikun dhe për diversion politik. Ky është jo vetëm një veprim i turpshëm, por edhe i dënueshëm ligjërisht, sepse shkelen shumë nene të ligjit. A ka dhunim më të madh të ligjit, sesa të dalë në TVSH e të prononcohet në emër të PDK-së, një individ që nuk përfaqëson PDK- në?, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë, ku theksohet se kjo parti do të iniciojë protesta përpara këtij institucioni, për shkarkimin e këtyre drejtuesve. PDK gjykon se është momenti që tia kthejmë RTSH-në publikut shqiptar, duke e çliruar këtë institucion nga një grusht shërbëtorësh politikë, që e kanë kthyer këtë institucion dhjetëra vite prapa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›