E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli,: Edi Rama po fsheh korrupsionin lakuriq që po bën xhiro nëpër Shqipëri

Kryeparlamentarja ashpërson gjuhën ndaj kryesocialistit në Lezhë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka thelluar akuzat e saj ndaj kreut të PS, Rama që sipas saj lufton korrupsionin me fjalë. Gjatë një takimi me banorë të komunës Dajç (Lezhë), ajo deklaroi se në emër të politikës së re, Edvin Rama kërkon të bëjë pis anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe procesin e ardhshëm elektoral, por sipas saj qeveria ka marrë të gjitha masat për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për të fshehur këtë korrupsion lakuriq që bën xhiro në Shqipëri ai ka gjetur metodë shumë interesante si taktikë. Gjatë gjithë kësaj periudhe kërkon të bëjë pis çdo ngjarje të madhe integrimi. Me mesazhe, me zëdhënës, me deputetët e tij në parlament, çdo ditë, çdo orë, çdo minutë ai ka kërkuar që të bëjë pis ngjarjet e mëdha të integrimit, sukseset e mëdha të ndërtimit, arritjet e jashtëzakonshme, transformuese, marramendëse të Shqipërisë. Korrupsioni më i madh politik i kryetarit socialist është mospërshëndetja e miratimit në Kuvendin e Shqipërisë e paketës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kjo është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë, theksoi Topalli gjatë fjalës së saj, ku nuk ka anashkaluar edhe kritikat politike ndaj lidershipit të PS. Sipas kryetares së kuvendit, karriera politike e Ramës është e ndarë në tre shtylla kryesore; korrupsion politik, mediatik dhe korrupsioni me lejet e ndërtimit në Bashkinë e Tiranës, që ai drejton. "Së pari, një karrierë e ndërtuar mbi korrupsionin politik. Ju të gjithë e kujtoni, kur ai bëhej aleat me Ilir Metën kundër Fatos Nanos, kur bëhej aleat me Fatos Nanon, kundër Ilir Metës dhe kur bëhej me Sali Berishën kundër Nanos dhe Metës. Dhe ky është një korrupsion i rëndë politik", u shpreh ajo. Shtylla e dytë e karrierës së Ramës, sipas kryetares së kuvendit është korrupsioni mediatik, ku nëpërmjet mesazheve drejtuar gazetarëve, sipas saj Rama i detyron ata që të lexojnë vetëm mesazhet, që ai i shkruan për veten e tij. "Nuk ka gazetar që të guxojë t'i bëjë pyetje Ramës dhe ky është korrupsion. Nuk ka deputet të guxojë të dalë në ekranet e televizioneve, pa marrë lejen e Edi Ramës dhe kjo është e rëndë", vijoi ajo. Ndërsa shtylla e tretë, e karrierës politike të Ramës, sipas kryeparlamentares është e lidhur me korrupsionin me lejet e ndërtimit në bashkinë e Tiranës, që ai drejton. Gjatë vazhdës së akuzave ndaj Ramës, kryetarja e kuvendit ndër të tjera ka veçuar se vendi ka bërë përpara dhe nuk kthehet dot mbrapa siç dëshiron Edi Rama, dhe për këtë shqiptarët janë më të ndërgjegjshëm se kurrë ndonjëherë. Duke iu referuar luftës kundër korrupsionit, Topalli e cilësoi një betejë të vështirë e të ashpër atë, që vinte sipas vendosjes së një sistemi të fortë informaliteti dhe ryshfetesh nëpër zyrat e administratën e shtetit. "Korrupsioni nuk luftohet me fjalë siç bën kryetari i Partisë Socialiste. Ky fenomen luftohet me vendosmëri dhe ne kemi pasur suksese të matshme, kur ju vetë shihni sesa para kemi futur në buxhetin e shtetit dhe sesa kemi investuar në sektorët publikë, shëndetësi, arsim, infrastrukturë, energji. Nuk ka qenë e thjeshtë, pasi kur ne erdhëm në pushtet këtë vend e gjetëm një kënetë ku nuk dinim të vendosnim shinat dhe sot e kemi vendosur Shqipërinë ne shinat e integrimit. Sot Shqipëria po vrapon, vijoi ajo. Gjithashtu, gjatë vijimit të takimit "NATO, ne mbajtëm premtimin", në komunat Dajç, Kallmet dhe Fushë-Kuqe në Lezhë, kryetarja e parlamentit garantoi banorët e këtyre zonave se maxhoranca e djathtë jep garancinë për zgjedhje të lira e të ndershme. "PD jep garancinë më të madhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këto 20 vjet PD është zemra e demokracisë, ajo ka bërë historinë e ndryshimit të madh, rrëzoi komunizmin, realizoi pluralizmin e votës së lirë", vijoi Topalli duke shtuar se kur ëndrra vjen në unison me momentin, me të cilën kthehet realitet. Kjo është mrekullia e të gjithë shqiptarëve. Sipas saj vetëm kjo maxhorancë bëri të mundur që vendi ynë, nga një vend me histori diktaturash, të vendosej në anën e drejtë të historisë, duke u bërë anëtar me të drejta të plota i NATO-s.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›