E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpejt ratifikojmë hyrjen e Shqipërisë në NATO

Autori i Lajmit: red.
Italia do të ratifikojë së shpejti Protokollin për integrimin e Shqipërisë në NATO sepse vendi juaj në vitet e fundit ka bërë hapa të mëdha përpara. Ky premtim është dhënë dje nga Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Xhanfranko Fini gjatë një takimi që zhvilloi në Itali me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Fini pohoi se nevojitet që Komunitetit Ndërkombëtar t i njohë këto hapa duke iu përgjigjur kështu meritës që ajo ka. “Italia ka një traditë të hershme në raportet e afrimitetit dhe miqësisë me Shqipërinë, kështu që sigurisht ratifikimin do ta kryejmë me bindje dhe jo thjesht si një kërkesë”, - tha ai. E ndodhur në një vizitë dyditore në Romë, me ftesë të homologut Fini, Kryetarja Topalli referoi dje në mesditë në tryezën e rrumbullakët me temë "Parlamentet në procesin e asociim -stabilizimit dhe integrimit europian dhe mesdhetar", me pjesëmarjen e kryetarëve të Parlamenteve dhe përfaqësues të legjislativit nga Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit është përqëndruar në reformat e guximshme që Qeveria dhe Parlamenti shqiptar kanë ndërmarrë me shumë sukses, kjo falë një lidershipi të fortë me vetëvendosje dhe përkushtim të fuqishëm. Më tej, Kryetarja Topalli është përqëndruar në fjalën e saj në rëndësinë që ka njohja e shtetit të ri të Kosovës, si dhe në domosdoshmërinë e anëtarësimit të saj në organizmat europiane dhe ndërkombëtare.

Ky lajm është publikuar: 26/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›