Shpenzime të nevojshme

Kenny Dalglish ka shpenzuar rreth 100 milionë funte nga janari, kur u emërua menaxher i ri i Liverpoolit. Ai transferoi dyshen sulmuese Andy Carrol dhe Luis Suarez për së bashku 60 milionë funte, ndërsa 40 milionë funte të tjera i investoi deri më tani gjatë kësaj vere në blerjen e Jordan Henderson, Stewart Downing, Charlie Adam dhe Doni.
Blerjet janë përkrahur nga shitjet, posaçërisht ajo e sulmuesit spanjoll Fernando Torres, i cili në janar iu bashkua Chelseas për rekord të futbollit anglez, 50 milionë funte.
Megjithatë, përshkrimi i tij se përforcimet ishin veprim i “nevojshëm” përcjellin spekulimet se Liverpool mund të hulumtojë tregun në kërkim të një qendërmbrojtësi të ri, pozitë për të cilën qarkullon emri i Gary Cahillit nga Bolton dhe një mbrojtësi të majtë ku Jose Enrique nga Newcastle United besohet se do t’i bashkohet klubit para përmbylljes së afatit kalimtar në fund të mëtij muaji.
“Të gjithë shpresojnë se përforcimet e tyre të kenë ndikim të madh, por ne besojmë se jemi përmirësuar dhe kemi shtuar talentin, që tanimë e kishim këtu”, tha Dalglish gjatë një konference për shtyp.
“Shpenzimi i parave nuk ju garanton sukses. Por, nuk më kujtohet asnjë skuadër që ka arritur sukses pa shpenzuar para. Andaj është e nevojshme. Por, është edhe më tepër e rëndësishme të shpenzoni mençur. Ne kemi vepruar sipas normave të tregut dhe kemi reaguar me përgjegjësi dhe bashkëpunim me pronarët, që kanë qenë jashtëzakonisht përkrahës gjatë afatit kalimtar. Nëse ekziston një pronar më përkrahës se John W Henry, atëherë ai duhet të ketë diçka të jashtëzakonshme sepse John është i shkëlqyeshëm dhe person i sinqertë”, shtoi Dalglish.
Mbetet të shihet nëse Henry do të financojë transferimin e fillimisht Cahillit, për të cilin Bolton kërkon 17 milionë funte.
Sipas të përditshmes angleze The Times, Liverpool do të finalizojë transferimin e tij duke e përkrahur ofertën me shitjen e mesfushorit Joe Cole. Përkrahja financiare e pronarëve të rinj në Anfield Road shënon një tregim tjetër prej 12 muaj më parë dhe Dalglish është optimist se ekipi i tij do të kthehet në katër pozitat e para pas përfundimit në vendin e shtatë në edicionin e kaluar.
“Sigurisht se gjërat pozitive që kanë ndodhur në kohën e fundit janë ndihmesë për ekipin. Jemi me fat që kemi përkrahje të tillë dhe besoj se jemi duke shkuar në rrugën e duhur”, përfundoi Dalglish.