Llapashtica përforcon Prishtinën
Fitim Llapashtica është përforcimi më i ri i Prishtinës. Qendërmbrojtësi vushtrrias i ka dhënë fund eksperiencës te Trepça për t’iu bashkuar ekipit bardh e kaltër, me ndërmjetësimin e futbollistit kosovar Enis Fetahu.
Këtë e ka bërë të ditur vetë ish futbollisti i Kosovës së Vushtrrisë për Express. “Vendosa të largohem nga Trepça pasi ky klub nuk i kishte kryer të gjitha obligimet ndaj meje. Pastaj nënshkrova me Prishtinën për një vit”, deklaroi ai.
Llapashtica ishte pjesë e rregullt e formacionit bazë të Trepçës në sezonet e kaluara. Të njëjtën gjë mendon ta bëjë edhe me klubin kryeqytetas, me të cilin synon t’i përsëritë sukseset që i arriti me klubin mitrovicas.
“Do të mundohem ta jap maksimumin për Prishtinën. E falënderoj Enis Fetahun për ndërmjetësim, si dhe kryetarin Remzi Ejupi e nënkryetarin Afrim Muçiqi që besuan tek unë, do të mundohem t’ua shpaguaj këtë besim. Me Prishtinën do të mundohemi t’i fitojmë të gjithë trofetë e mundshëm”, u shpreh në fund Llapashtica.