Metaj në FC Emmen

Shkodran Metaj më në fund e ka gjetur ekipin e ri. Futbollisti kosovar ka nënshkruar kontratë trevjeçare me ekipin nga liga e dytë holandeze, FC Emmen. Mesfushori i krahut i është bashkuar ekipit të ri qysh të enjten, ndërsa do të luajë të premten (sot) menjëherë ndaj FC Eindhoven.
Metaj ishte pjesë e akademisë së FC Groningen, ku kaloi në ekipin e parë në sezonin 2007/08. 21 vjeçari ka zhvilluar 43 ndeshje me fanellën e FC Groningen, mirëpo ai nuk është bërë kurrë pjesë e rregullt e ekipit holandez.
Në sezonin 2009/10 ai u huazua në ekipin tjetër holandez, RKC Waalwijk. Javët e fundit, shumë skuadra holandeze kishin shfaqur interesim për mesfushorin pejan. Atë së fundmi e kërkonte edhe ekipi tjetër nga liga e dytë holandeze, Willem II.