Meta në Bathore: Do ju nxjerrim nga varfëria
Lideri i LSI-së, z. Ilir Meta, zhvilloi një takim me banorë të Bathores në Kamzë. Gjatë këtij takimi, Meta prezantoi alternativën e LSI-së, e cila sipas tij do të nxjerrë jo vetëm këtë zonë nga varfëria e thellë, por do të nxjerrë vendin nga kriza dhe përmes Planit për Veprim, do të garantojë zhvillim dhe integrim për shqiptarët. Meta u shpreh se “vetëm pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 28 qershorit, një moment shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë, që është pikërisht ndarja me keqqeverisjen që rrit varfërinë dhe pasigurinë për jetën tuaj dhe të fëmijëve tuaj, që është vota për LSI-në si alternativa që mendon për shqiptarët, që zgjidh problemet e tyre më jetike, me një program tepër konkret dhe të qartë”. Ndërkaq kreu i LSI-së e ka prezantuar partinë e tij si një alternativë bashkimi. “LSI, si asnjë alternativë tjetër, i bashkon të gjithë shqiptarët, sepse LSI ka programin më të qartë dhe më konkret për atë që kërkojnë më shumë shqiptarët sot, që është punësimi i qëndrueshëm, garancia për të ndërtuar një jetë me dinjitet për familjet shqiptare dhe për fëmijët tuaj”, - tha ai. Duke folur për Planin e Veprimit të LSI-së, ai e ka cilësuar një program tërësisht të realizueshëm. “Ilir Meta dhe LSI nuk premtojnë ndërtimin e centraleve bërthamore, që nuk i duhen Shqipërisë, nuk premtojnë ndërtimin e termocentraleve që helmojnë Shqipërinë, turizmin dhe shëndetin e qytetarëve tanë, por Ilir Meta dhe LSI kanë programin më të qartë, më konkret dhe më të thjeshtë, që i fut shqiptarët në punë gjatë 4 viteve që vijnë”, - tha më tej Meta. Ndërkaq ai ka prekur dhe problemin e legalizimeve. Lideri i LSI-së u shpreh se “është koha për të zgjidhur problemin e legalizimeve. Unë kam qenë i pari në detyrën e Kryeministrit, që kam hedhur si të domosdoshme alternativën e legalizimeve, që në vitin 2001 dhe jam i bindur se do kem mundësinë me votën tuaj për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen e legalizimeve, si një çështje shumë të rëndësishme sociale, por edhe ekonomike jo vetëm për ju, por për të gjithë vendin tonë”.