E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpenzimet për fushatën, qeveria lë pa rrogë shtesë administratën



Jonida Tashi

Shpenzimet për fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit kanë zbrazur fondet e institucioneve buxhetore. Ndonëse punonjësit e këtyre institucioneve duhet të paguheshin nga partia për punën e bërë gjatë fushatës, shpërblimin ata e kanë marrë nga buxheti i institucioneve shtetërore. Ky fakt konfirmohet nga sqarimi që i kanë bërë punonjësve të Kuvendit drejtuesit e këtij të fundit, të cilët u kanë komunikuar atyre së fundi se nuk do të ketë pagë shtesë me rastin e festave të fundvitit, pasi ata kanë marrë shpërblimin prej 40 mijë lekësh në mbyllje të fushatës. Shpërdorimi i parave të buxhetit të shtetit gjatë fushatës ka bërë që qeveria të marrë masa për të mbajtur në kontroll situatën financiare, duke vendosur shkrirjen e fondit të veçantë të pagave për institucionet buxhetore. Për rrjedhojë, paga shtesë për 104 mijë punonjësit buxhetorë nuk do të varet më nga buxheti i shtetit, por do të kushtëzohet nga fondet e institucionit ku ata punojnë. Sipas kësaj logjike, në institucionet që kanë shpërdoruar fondet gjatë vitit, ose nuk kanë të ardhura për paga shtesë, nuk përjashtohet mundësia e mosdhënies së tyre, pavarësisht mbarëvajtjes në punë të punonjësve.
Fondi
Paga shtesë dhe shpërblimi për festat, këtë vit, do të bëhet në mënyrë preferenciale. Për rrjedhojë, ndarja e shpërblimeve dhe e rrogës shtesë për rezultatet në punë për punonjësit e administratës publike do të jetë jo vetëm preferenciale, por edhe e kushtëzuar nga fondet që ka gjendjen e tij financiare çdo institucion. Ndryshe nga praktika që qeveria ka ndjekur gjatë dy viteve të mëparshme, këtë vit, efektet financiare për të përballuar këto shpenzime do të merren nga fondi që çdo institucion ka marrë që në fillim të vitit. Në këtë mënyrë, qeveria ka shfuqizuar Vendimin e Këshillit të Ministrave, të marrë dy vite më parë për krijimin e fondit të veçantë në institucionet buxhetore, që mban numrin 369, datë 13.6.2007, “Për fondin e veçantë në institucionet buxhetore”, i cili është shfuqizuar nga një vendim që qeveria ka marrë në datën 25 nëntor 2009. Në vendimin e 25 nëntorit “Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, që tashmë është botuar edhe në Fletoren Zyrtare, qeveria ka urdhëruar që në njësitë e qeverisjes së përgjithshme të krijohet fondi i veçantë, në masën 5 për qind të fondit të planifikuar për pagat. Sipas të njëjtit vendim, ky fond do të përdoret nga drejtuesit e njësive të qeverisjes së përgjithshme për shpërblimin e punonjësve, për rezultate të mira në punë, për dhënie ndihmash të menjëhershme, në raste fatkeqësish, sëmundjesh që kërkojnë ndërhyrje shëndetësore jashtë vendit, për veprimtari social-kulturore, si dhe për rastet e daljes në pension pleqërie. Vendimi saktëson se shpërblimi për rezultate të mira në punë gjatë vitit, për çdo punonjës, nuk duhet të jetë më shumë se një pagë mujore në vit. Përjashtimisht për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, masa e shpërblimit nuk duhet të jetë më shumë se dy paga mujore në vit.
Shpërblimi
Rroga shtesë për mbarëvajtjen në punë gjatë vitit në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat janë në fushën e veprimit të ligjit të shërbimit civil, do të jepet në bazë të rezultateve individuale, sipas parimeve dhe procedurës së përcaktuar në legjislacionin për shërbimin civil. Kështu përcaktohet në vendimin e qeverisë “Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”. Ndërsa për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve kriteret e shpërblimit me mbi një pagë do të përcaktohen sipas udhëzimit përkatës të ministrit të Financave dhe të ministrit të Brendshëm. Më tej vendimi i qeverisë saktëson se shpërblimi për rezultate të mira në punë do të përballohet nga fondi i veçantë edhe në rastet kur, sipas ligjeve të veçanta, lindin të drejta specifike të shpërblimit të punonjësve. “Ky rregull nuk zbatohet vetëm kur në ligj janë parashikuar burime të tjera specifike, të ndryshme nga fondi i veçantë i pagave. Në këtë rast, kriteret dhe rregullat e përfitimit të shpërblimeve përcaktohen me udhëzime përkatëse”,- thuhet në vendim. Ndërsa përsa i përket masës së shpërblimit që qeveria do të akordojë edhe këtë vit për festat e fundvitit për punonjësit e administratës, në vendim përcaktohet se shpërblimi në fund të vitit i jepet çdo punonjësi të njësisë së qeverisjes së përgjithshme, në masën 10 mijë lekë, pavarësisht shpërblimit për rezultatet në punë, dhe përballohet nga fondi i veçantë. Në dy pikat e parafundit të vendimit, qeveria ka vendosur që efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i tij, të përballohen nga buxheti vjetor, i miratuar për çdo institucion, ndërsa Ministria e Financave ngarkohet për nxjerrjen e udhëzimit përkatës. Në fund, për t’i hapur rrugë zbatimit zyrtar të vendimit të ri, Këshilli i Ministrave ka shfuqizuar Vendimin Nr.369, datë 13.6.2007, “Për fondin e veçantë në institucionet buxhetore”.

Vlerësimi në punë, katër nivelet që përcaktojnë rrogën shtesë

Vlerësimi i mbarëvajtjes në punë, sipas parimeve dhe procedurës së përcaktuar në legjislacionin për shërbimin civil, do të bazohet në arritjen e objektivave për çdo vend pune dhe në aftësitë kryesore që nevojiten për të kryer detyrat. Vlerësimi i përgjithshëm bëhet në katër nivele të mbarëvajtjes në punë, që janë: “Shumë mirë”, “Mirë”, “Kënaqshëm” dhe “Jo mjaftueshëm”. Tri nivelet e para janë vlerësime pozitive, që lidhen drejtpërdrejt me procedurën e konfirmimit në fund të periudhës së provës, të lëvizjes paralele dhe ngritjes në detyrë. Gjithashtu, për këto tri nivele, nëpunësi civil shpërblehet në vlerë monetare në fund të vitit të vlerësimit të rezultateve individuale, ndërkohë që niveli 4 është vlerësim negativ. Për të gjitha shkallët, shpërblimet janë: Niveli 1, “Shumë mirë” një pagë mujore; Niveli 2, “Mirë” 70 për qind të pagës mujore; Niveli 3, “Kënaqshëm” 50 për qind të pagës mujore. Punonjësit, mbarëvajtja e të cilëve është vlerësuar me nivelin “Jo mjaftueshëm” (niveli 4), nuk marrin shpërblim. Normalisht, vlerësimi kryhet nga eprori i drejtpërdrejtë, por në raste të veçanta mund të zbatohen procedura të tjera. Për rastet e veçanta, procedura vendoset nga bashkëpunimi i njësisë përgjegjëse për menaxhimin e burimeve njerëzore të institucionit përkatës dhe Departamentit të Administratës Publike.

Box

Punonjësit që përfitojnë dhe kategoritë që përjashtohen

Dhënia e shpërblimeve bëhet në një pagesë të vetme, gjatë muajit dhjetor, pasi është mbyllur viti i vlerësimit dhe është bërë vlerësimi i mbarëvajtjes. Shpërblimi llogaritet në bazë të pagës totale që ka marrë individi gjatë vitit të vlerësimit. Rrjedhimisht, personat që janë emëruar ose ngritur në detyrë gjatë vitit të vlerësimit do të marrin një shpërblim që reflekton periudhën e tyre të punës, në rast të emërimeve të reja dhe të pagave të niveleve të ndryshme që ka marrë në rastet e ngritjeve në detyrë. Nëpunësit që pushohen nga puna para fundit të tetorit, nuk përfshihen në shpërblimet për mbarëvajtjen në punë. Ata nëpunës që dalin në pension, që japin dorëheqje, transferohen në një strukturë tjetër të administratës shtetërore ose kalojnë në listë pritjeje, marrin shpërblim. Nëse në fund të vitit të vlerësimit fondi i shpërblimeve nuk konsumohet plotësisht, për shkak të vlerësimeve “Jo mjaftueshëm” të mbarëvajtjes në punë, sekretari i Përgjithshëm mund të autorizojë një rritje të masës së shpërblimeve për punonjësit e vlerësuar me nivelet nga 1 deri në 3, brenda fondit të përcaktuar. Pas daljes së vendimit të qeverisë për shpërblimet e fundvitit, burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se ka nisur puna për përgatitjen e udhëzimit konkret që përcakton mënyrat dhe format e shpërblimit për punonjësit e administratës. Ndërsa qeveria ka përcaktuar edhe kriteret se kur mund të përfitohet një shpërblim, i cili në rastin më ideal është kur punon në bazë të parashikimeve. Shpërblimi që mund të përfitohet nga të gjithë është një pagë shtesë mujore në bazë të rezultateve, por që e vendos titullari dhe për këtë kërkohet një marrëdhënie ideale me shefin e zyrës. Udhëzimi i Ministrisë së Financave që pritet të publikohet së shpejti do të përmbajë detajet se kush punonjës administrate mund të përfitojë një shpërblim shtesë. Ministria ka përcaktuar se punonjësit me kontratë mund të përfitojnë shpërblime të zgjeruara, por njëkohësisht edhe punonjësit në listë pritjeje. Në listën e përcaktuar nga Ministria, shpërblim mund të përfitojnë edhe ushtarakët në reformë, punonjësit arsimorë në dispozicion, si dhe do të ketë pagesa për bashkëshortët e ushtarakëve. Lista përmban shpërblime edhe për studentët ushtarakë dhe punonjësit me kontratë të përkohshme.

Kush përfiton shpërblim
Punonjësit me kontratë
Punonjësit në listë pritjeje
Ushtarakët në reformë
Punonjësit arsimorë në dispozicion
Bashkëshortët e ushtarakëve
Studentët ushtarakë
Punonjësit me kontratë të përkohshme
Punonjësit që do të marrin shpërblim
Punonjësit e Presidencës
Punonjësit e Kuvendit
Punonjësit e ministrive
Punonjësit e instituteve
Punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror
Punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave
Punonjësit e Akademisë së Shkencave
Punonjësit e Kontrollit të Lartë të Shtetit
Punonjësit e prokurorive
Punonjësit e gjykatave
Punonjësit e Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Punonjësit e Avokatit të Popullit
Punonjësit e Agjencisë Telegrafike Shqiptare
Punonjësit e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare
Punonjësit në arsim (mësues, pedagogë, etj)
Punonjësit në mjekësi (mjekë, infermierë, etj)
Punonjësit e Fondit Shqiptar të Zhvillimit
Punonjësit e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë
Punonjësit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Punonjësit e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive
Punonjësit e institucioneve të tjera qeveritare

16 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›